Google search engine
Home Ekonomi “Karteli i miellit” falimenton fermerët që mbjellin grurë, çmimi bie në 28...

“Karteli i miellit” falimenton fermerët që mbjellin grurë, çmimi bie në 28 lekë kilogrami, ministrja Frida Krifca mban sehir dhe e zhyt bujqësinë në krizë

0
131

Nuk kanë fund skandalet e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, e cila duket se është e vendosur për ta zhytur bujqësinë në krizë. Janë me qindra fermerë të cilët po falimentojnë pasi çmimi i grurit është përgjysmuar, një vit pasi qeveria u bëri thirrje që të mbjellin grurë për të përballuar mungesën pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë. Por, ndërsa vjet çmimi ishte rreth 60 lekë për kilogramë, sot ai është vetëm 28 lekë, aq sa blihet nga firmat që mbledhin grurin. Nga një vëzhgim i bërë nga emisioni “Fiks Fare” në fshatrat e Lushnjës, për të dokumentuar se me sa po shitet 1 kilogramë grurë,  duket se nëse çmimi i vjetshëm shkoi deri në 54 lekë për 1 kilogramë, këtë vit 1 kilogramë grurë ka shkuar maksimumi 28 lekë për kilogramë. Disa firma, të cilat u gjobitën nga Autoriteti i Konkurrencës se vepronin si kartel, duke fiksuar çmimin e grurit dhe miellit, po mbledhin grurë me të njëjtin çmim;  28 lekë për kilogramë. Vitin e kaluar, kur lufta në Ukrainë sapo kishte filluar dhe çmimi i shitjes së drithit në tregjet ndërkombëtare kishte kapur majat, Ministria e Bujqësisë ftonte fermerët që të mbillnin grurë. Qeveria akordoi edhe një subvencion prej 30 mijë lekësh për 1 hektarë. Fermerët dëgjuan qeverinë dhe mbollën grurë. Sipas ministrisë së Bujqësisë, në të gjithë Shqipërinë janë mbjellë diku te 55 mijë hektarë. “Janë mbjellë rreth 55 mijë hektarë në të gjithë Shqipërinë, kemi subvencionuar një pjesë me 30 mijë lekë, kemi dhënë edhe naftë”, tha për Fiks Fare Irfan Tarelli, drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Programeve të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë.

Fermerët ngrenë alarmin se po falimentojnë

Nga ana tjetër, situata e fermerëve në Lushnje dhe Divjakë, në hambarin e Shqipërisë të prodhimeve bujqësore, është alarmante. Ata kanë ngritur alarmin se çmimi i grurit ka rënë ndjeshëm dhe se ata po falimentojnë. Fillimisht, grupi i emisionit shkoi në fshatin Tërbuf, ku biseduan me disa fermerë. Të parin e gjejnë në mes të fshatit, teksa grurin e kishte shtruar në trotuare për t’u tharë. Fermeri thotë se me çmimin aktual të shitjes, 1 kg me 28 lekë, ai del me humbje. Llogarit kostot e mbjelljes, që nga plugimi, frezimi, fara, imputet bujqësore, korrja apo spërkatja. Ai thotë se nga llogaritë që ka bërë, nëse e çon te pika e grumbullimit në Lushnje, del me humbje.“I gjithë mundi i vitit. I të gjithë familjes dhe dalim me humbje”, thotë fermeri. Gazetarët bisedojnë me një tjetër fermer, i cili grurin e kishte pa korrur. Fermeri thotë se ka mbjellë rreth 8 hektarë grurë. Sërish ai llogarit koston e mbjelljes, të përpunimit, spërkatjes, qirasë etj. “Dalim me humbje. Këta e kanë vendosur vetë çmimin që e marrin. Është një pikë grumbullimi në Lushnje që e merr me sa të dojë. Me 28 lekë për kilogramë. Me atë çmim, në falimentoj. I bie që unë vitin tjetër të mos mbjell”, thotë ai, teksa në bllok ka të gjitha llogaritë. Në fshatin Grabian të Lushnjes, një 30 vjeçar, i cili është me profesion autokombanjer, thotë se rendiment ka, por nuk ka çmim.“Unë jam autokombanjeri më i ri në zonë. Ma ka lënë trashëgimi im atë i ndjerë. Këtu të rinjtë kanë ikur. Unë zgjodha të vijoj profesionin e babait. Rendiment ka, por s’ka çmim. Ja shikoni këto që po korren, ia kërkojnë pikat e grumbullimit me 28 lekë. Por ata llogarisin edhe proteinat, llogarisin firon që shkon te 15 deri në 20 %, llogarisin edhe lagështirën. Kështu që del me humbje 1 fermer se ai është mundi i gjithë vitit”, pohon autokombanjeri.

Akuzat e Braçes

Ndërkohë, në foltoren e Parlamentit, deputeti i PS-së dhe zonës e Lushnjes dhe Divjakës, Erion Braçe, pak kohë më parë ka deklaruar se janë të njëjtët tregtarë që abuzojnë vazhdimisht. Ai deklaroi se këto firma edhe janë gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2022. Deputeti socialit Eion Braçe, thotë se fermerët po falimentojnë. “Çmimi i grurit deri në 28 lekë për 1 kilogramë i falimenton. Janë të njëjta firma që janë gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës në fund të vitit 2022. Ato kanë fiksuar çmimet”, thotë Braçe, teksa pyetjes se kush janë këto firma ai tha se ato gjenden te vendimi i Autoritetit të Konkurrencës si: Agro Blend, Bloja, Miell Tirana, Atlas.

Hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës

Sakaq, kujtojmë se në vitet 2021 dhe 2022, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim për fiksim çmimi nga disa firma në tregun e importit të grurit prodhimit dhe tregtimit të miellit. Ky Autoritet doli me dy njoftime për këtë problematikë. Në të parin, e datës 9 shtator 2021, Autoriteti thotë se “Komisioni i Konkurrencës, mbylli hetimet e thelluara për tregun e importit të grurit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills. Konstatoi sjelljen e bashkërenduar midis këtyre ndërmarrjeve, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit. Këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës. Në të njëjtin vendim, shkruhet mjaft qartë se detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills të mos caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet. Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit. Në atë kohë, ky autoritet vendosi vetëm ti mbajë nën monitorim. Ndërkohë, nga monitorimi rezultoi se sërish këto firma e kanë shkelur konkurrencën. Në datën 22 dhjetor 2022, Autoriteti doli me një vendimmarrje, duke i gjobitur këto ndërmarrje me një total rreth 10 milionë lekë. “Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja  dhe Atlas Mills, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktikat të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës” thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here