Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj duket se nuk është i vetmi që është implikuar në aferën e incneratorëvë, kjo pasi në këtë megaaferë korruptive thuhet se janë përfshirë edhe deputetët, kryebashkiakë, ministra dhe ish-ministra socialistë dhe jovetëm. Disa nga emrat që janë lakuar edhe nga deputeti Gazment Bardhi janë Në këtë aferë përmendet ish-ministri Damian Gjiknuri, ish-ministrja Ermonela Felaj, dhe 2 ish- kryetarë bashkie, sot deputetë, si Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqaj, apo edhe përmendja e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të ministrave Engjëll Agaçi. Madje emri i Gjiknurit ka dalë dje edhe në media, të cilat kanë zbardhur detaje të reja nga dosja e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt, për të cilin SPAK kërkoi arrestimin. Në dosjen e siguruar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, flitet për disa udhëtime të Ahmetajt me biznesmenin Mirel Mërtirin, në Rumani dhe në Vjenë. Po ashtu, mësohet se në këto udhëtime, bashkë me Ahmetajn ka qenë dhe socialisti Damian Gjiknuri. Mes të tjerash mësohet se në dosjen e SPAK specifikohet se në vendi i qëndrimit në Vjenë ishte Radisson Blu Style Hotel Viena, ndërkohë që personi që rezervoi për Ahmetajn dhe Gjiknurin ishte biznesmeni Klodian Zoto. “Nga të dhënat e TIMS rezulton se më datë 15 prill 2014 Arben Ahmetaj del nga Shqipëria në ora 14.36 me linjën Austrian. Po më datë 15 prill 2014 rezulton se shtetasi Mirel Mërtiri del nga Shqipëria në porën 15.35 me të njëjtën linjë ajrore dhe se gjithashtu edhe shtetasi Damian Gjiknuri ka dalë po në këtë datë me të njëjtën linjë ajrore në orën 14.05. Ndërkohë në lidhje me kthimin konstatohet se më datë 17 prill 2014 në ora 11.18 dhe 11.19 shtetasit Mirel Mërtiri dhe Arben Ahmetaj kthehen bashkë me linjën e fluturimin Lufthansa. Ndërkohë që Damian Gjiknuri kthehet një ditë më vonë.”, thuhet në dosjen e SPAK. Mësohet se Zoto ka rezervuar hotelin në emër të Damian Gjiknurit. “Në emailin e shtetasit Klodian Zoto më datë 12 mars 2014 rezulton se i është dërguar email nga booking.com për prenotimin e tij në Radisson blu sky hotel Vienna ku i konfirmohet rezervimi me nr… në adresë…. me guest name Damian Gjiknuri me periudhën 12.3.2014 deri në 13.3.2014.”, sqarohet në dosje. Nga këqyrja e të dhënave të veprimeve të kartave dhe llogarive në emër të Klodian Zoto të vëna në dispozicion nga IS Bank rezulton se me kartën nr… janë kryer veprimet si më poshtë: Në datë 12 mars 2014 është kryer veprimi më kartë për realizimin e transaksioneve në tregtarin “Style Hotel Vienna” në shumën 385 euro; Në datë 13 mars 2014 është kryer veprimi më kartë për realizimin e transaksioneve në tregtarin “Style Hotel Vienna” në shumën 231 euro; Në datë 13 mars 2014 është kryer veprimi më kartë për realizimin e transaksioneve në tregtarin “Style Hotel Vienna” në shumën 256 euro; Në datë 12 mars 2014 është kryer veprimi më kartë për realizimin e transaksioneve në tregtarin “Style Hotel Vienna” në shumën 565 euro.
Përmendja e ish-kryebashkiakut të Fierit
Ndërkohë emri i ish-kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqaj është përmendur në dosjen e SPAK, sipas gazetares Klodiana Lala, e cila zbuloi për BalkanWeb disa detaje nga dosja që kanë të bëjnë me komunikimet e Ahmetajt me bosin e inceneratorëve, Mirel Mërtiri që në vitin 2012. “Mes Ahmetajt dhe Mërtirit ka pasur komunikim të afërt për sa kohë ata i drejtohen njeri tjetrit me nofka dhe ata flasin me detaje për gjithçka ndodh mes tyre. Në një moment Mërtiri e pyet Ahmetajn dhe i thotë që “gjithë PS dhe udhëheqja e PS ka zbarkuar në Korçë”. Ahmetaj i përgjigjet “Unë isha i ftuar por ndodhem jashtë Shqipërisë në udhëtime”. Në kuadër të këtij akt ekspertimi rezulton se Ahmetaj komunikon me ish kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo të cilit i kërkon të komunikojnë dhe të ulen bashkë me Mërtirin në kafe dhe më pas vijojnë komunikimet mes Zotos, Mërtirit dhe ish kryetarit të bashkisë”, thuhet në dosjen kundër Ahmetajt. Sipas Lalës, SPAK pretendon se ka prova që Ahmetaj ka përfituar 500 mijë euro si dhe dy vila në Palasë dhe Hamallaj nga afera e inceneratorëve. “Bëhet fjalë për detaje ku janë renditur prova dhe fakte që SPAK pretendon se ka kundër Ahmetajt. Ndërkohë që ky i fundit përmes avokatëve të tij është i pafajshëm për këto akuza. Sa i përket transaksioneve ato janë kryer përmes personave të dytë dhe të tretë dhe në të gjitha rastet ato janë paguar nga bosët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto të cilët janë në kërkim. Ahmetaj ka dyshime të ketë përfituar një shumë prej 500 mijë euro, një vilë në Palasë dhe një vilë në Hamallaj. Nga udhëtimet që ka kryer jashtë vendit Ahmetaj nuk ka qenë vetëm, por ka udhëtuar bashkë me bosin e inceneratorëve, Mirel Mërtiri”, raportoi gazetarja Lala.
Reagon Korreshi
Por përfshirjen e një duzine të lartë zyrtarësh të Partisë Socialiste në aferën e inceneratorëve e ka pohuar dje edhe deputeti i PD, Saimir Korreshi. Ky i fundit është anëtar i Këshillit të Mandateve ku u diskutua kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, ndërkohë që dje gjatë një prononcimi për mediat është shprehur se në dosjen e Arben Ahmetajt ka detaje të reja që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me inceneratorët, por që e implikojnë atë. madje Korreshi u shpreh se në dosjen e Ahmetajt përmenden shumë emra deputetësh dhe kryetarë bashkish, të cilët sipas tij janë të implikuar. “Ka detaje që të bindin se nuk mund të jetë ndryshe, nuk mund të flas se është sekret hetimor, po ka përtej asaj që dimë edhe në ngjarje të tjera në fushën e veprimtarisë që nuk ka lidhje me inceneratorët. Ka rrethana të tjera që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me inceneratorët që e implikojnë, ka emra kolegësh deputetë dhe kryetarë bashkish pafund në atë dosje”, deklaroi Korreshi.
Dosja e inceneratorëve, Gështenja: Do ketë ministra të tjerë që do shkojnë në burg
Ndërkohë deputeti i PD, Lefter Gështenja është shprehur se për aferën e inceneratorëve para drejtësisë do të shkojnë ish-ministra dhe ish-zyrtarë të lartë. I Gjatë një prononcimi për mediat, ai theksoi se në këtë aferë janë të përfshirë i gjithë zinxhiri qeveritarë përfshirë dhe drejtuesit vendorë. “Rasti i Ahmetajt është maja e ajsbergut. I gjithë zinxhiri qeveritar përfshirë dhe drejtuesit vendor janë pjesë e kësaj afere. Nëse njëra nga hallkat nuk do të funksiononte nuk do të jepeshin koncesione për inceneratorët. I vetmi njeri që mund t’i shpëtojë këtij zinxhiri është Shkëlqim Cani. Unë jam i bindur që do të ketë ish-zyrtarë dhe ish-ministra që do të shkojnë para drejtësisë”, deklaroi Gështenja.









































