Alex Soros ka ndarë foto nga festa e ditëlindjes së 59-të të kryeministrit Edi Rama. Djali i miliarderit me orgjinë hungareze, që do të drejtojë perandorinë ekonomike të të atit, i njohur për ndikimin te demokratët amerikanë, postoi fotot në instagram ku shkroi. “Dje me dy nga liderët më të mëdhenj të botës @ediramaal & #BillClinton. I nderuar që jam në Tiranë pasi Bill Clinton erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe iu dha Ylli i Madh i Mirënjohjes për Arritjet Publike në prag të Ditës së Pavarësisë. Shqipëria është ndër vendet më pro-amerikane në botë dhe një aleat i madh–falë lidershipit të Edi Ramës. Dhe çfarë rastësie që Edi Rama ka lindur më 4 korrik!!! Tingulli në Ditën e Pavarësisë dhe ditëlindja e vëllait tim Edi me këta dy burra të mëdhenj ishte një moment kulmor që do ta çmoj përgjithmonë! Gëzuar Ditën e Pavarësisë nga Tirana, Shqipëri!”, shkruan Aleks Soros në rrjetet sociale. Bashkë me Sorosin, kudo në krahun e tij, ishte dhe Savannah Huitema, modelja e “Model Management”, bashkëjetuesja e djalit të multimiliarderit. Në të gjitha fotot e takimeve, studentja e Ligjit në Harvard, shfaqet kudo, madje ka ripostuar gjithçka që ka zbuluar bashkëjetuesi i saj. Ditëlindja e kreut të qeverisë përkoi edhe me festën e pavarësisë së SHBA, që solli në Shqipëri ish presidentin amerikan Bill Clinton. Rama shfaqet në krah të Clinton dhe Alex Soros. Ky i fundit ka publikuar edhe disa foto ku kreu i qeverisë fik qirinjtë e tortës së tij të ditëlindjes.





































