Mazhoranca dhe opozita duket se do të përjashtojnë nga politika spiunin Ilir Metaj dhe “non gratën” Sali Berisha. Tashmë që socialistët i janë rikthyer paketës për dekriminalizimin për të larguar Sali Berishën dhe Ilir Metën me ligj nga politika, nga jashtë Parlamentit, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla zbuloi dje se i kanë të gjitha votat për të “eliminuar” politikisht non gratën dhe spiunët e lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. Socialistët mund ta arrijnë këtë vetëm me votat e Partisë Demokratike. Dëshira për të përjashtuar Berishën dhe Metën nga politika nga PD zyrtare e Lulzim Bashës është e madhe dhe sinjalet janë dhënë ku demokratët e konsiderojnë dyshen-antiamerikane si e shkuara. Balla u shpreh ditën e djeshme se publiku duhet t’i njohë personat që kanë qenë të lidhur me Sigurimin e Shtetit, teksa ka shtuar se ata nuk mund të jenë kryetarë të partive politike. “Unë e quaj “paketa e despiunizimit”, ju e quani “paketa Meta”. Qasja jonë ka qenë që kjo të mos ishte pjesë e debatit të zgjedhjeve vendore për të lënë sa më shumë hapësirë që gjatë zgjedhjeve të kishte fokus në çështje të tjera. Nga momenti i depozitimit nga fund-Korriku i vitit të kaluar, ka qenë një kohë për të konsultuar të gjitha praktikat më të mira. Brenda Kuvendit të Shqipërisë ka një mazhorancë përtej 84 votave për të kaluar një paketë të tillë. Ligji për dekriminalizimin për personat e lidhur me Sigurimin e Shtetit, të cilët me vullnet janë bërë pjesë e spiunëve të Sigurimit të Shtetit, këta persona publiku duhet t’i njohë dhe të paktën këta persona të mos jenë kryetarë partie politike. Duke i shërbyer Sigurimit të Shtetit punonin vetëm për një parti të caktuar, tani nuk mund të jenë kryetarë partie”, tha ai.
Çfarë rrezikon Berisha?
Gjithashtu edhe ish-kryeministri Sali Berisha pritet të përjashtohet si deputet nga Kuvendi në shtator. Ndryshime të reja paralajmërohen dhe për të nxjerrë nga politika personat “non grata” dhe i pari që preket është ish-lideri i PD, Sali Berisha. Lajmin e dha sërish Balla të enjten e kaluar nga nga foltorja e Kuvendit. Deputeti socialist bëri thirrje që të gjenden mekanizma që të shpallurit “non grata” nga vendet aleate të Shqipërisë të mos jenë më pjesë e Kuvendit. Vendosja e një precedenti të tillë rrezikon të parin ish-kryeministrin i cili mund të humbasë mandatin e deputetit. Ndryshe nga personat e tjerë të shpallur “non grata”, Berisha është i vetmi që ka mandat politik duke qenë deputet. Ndryshimi pritet të ndodhë dhe sinjalet janë se në shtator pozita dhe opozita do të votojnë së bashku ligjin për të “hequr qafe” Berishën, pasi kjo nismë është mbështetur edhe nga amerikanët. Ishte ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim e cila disa muaj më parë është shprehur se ligji i dekriminalizimit ka nevojë për përmirësim. Kim tha korrupsioni është kërcënimi më i ri i cili duhet luftuar dhe nuk duhet pranuar më si normal në shoqëri. Sipas saj, ata që e trajtojnë korrupsionin si normal po përpiqen të bëjnë lavash mendjeje. “Mendoj që mund të përmirësohet. Dhe kuptoj që ka disa konsiderata që duhen përmirësuar. Por mendoj që ka ardhur koha për vendim për votuesit shqiptarë. Kërcënimi më i ri është korrupsioni dhe ka ardhur koha që ju të ngriheni dhe të luftoni kundër kësaj, në mënyrë që ju shqiptarët të thoni: Mjaft është mjaft! Nuk mund të pranohet më kjo si normale. Ata që duan që ju të besoni se korrupsioni është normal në këtë vend, po përpiqen t’ju bëjnë lavash mendjeje”, është shprehur ambasadorja e SHBA.