Pavarësisht se korri një fitore plebishitare në zgjedhjet lokale të 14 majit dhe ndonëse Partia Socialiste është mazhorancë edhe sa i takon pushtetit qendror, teksa drejton Shqipërinë prej 10 vitesh, kryeministri Edi Rama duket se është mbërthyer nga një krizë politike dhe diplomatike. Gazeta “SOT”, prej disa kohësh e ka deklaruar se kryeministri Rama nuk i ka punët mirë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai ka hyrë në një rrugë qorre edhe në situatën e brendshme, ku një zot e di se si do të dalë, pasi rrezikon të përfundojnë si mos më keq, ku largimi nga pushtetit është më e pakta që mund t’i ndodhë. Kështu zërave se Rama nuk është komod si më parë u është shtuar edhe ish-ministri i Brendshëm, njëherësh deputeti i PS, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit gjatë një interviste televizive, ka pohuar këtë fundjavë se shefi i qeverisë është i shqetësuar dhe në hall. “Nga artikulimet që ka bërë kryeministri më lë të kuptoj që është i shqetësuar dhe ndoshta po reflekton. Dhe dua ta shoh që të hedhin në tavolinë reflektime serioze. Në disa raste nuk ka nevojë për të bërë disa make up të makinës por edhe për ta rinovuar plotësisht. Shpresoj që të ketë urtësinë ta realizojë”, deklaroi ai.
Xhafaj kritika Ramës
Më tej ish-ministri Fatmir Xhafaj ka lëshuar deri diku kritika në drejtim të mazhorancës, ndërsa theksoi se duhet reflektim i thellë. Xhafaj i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të tregojë urtësi në orientimin e pushtetit të madh politik që ka në duar Partia Socialiste, pasi për fatin e keq të vendit, siç e cilësoi ai, opozita është shumë e dobët. Pra, prerë dhe qartë deputeti Xhafaj i kërkon Ramës qilizmë në qeveri dhe gjithë mazhorancën. “Ke një realitet politik ku opozita është shumë e dobët, për fatkeqësinë e saj dhe fatkeqësinë e këtij vendi. Edhe për të keqen e kësaj mazhorance sepse nuk ka pasqyrën përballë. I ka dhënë një pushtet të madh që është e pamundur ta kontrollosh me një telefon apo me një individ, cilido qoftë ai, sado supremen të jetë. Nevoja për të reflektuar për këtë përgjegjësi është një gjë shumë e drejtë dhe kryeministri ka bërë shumë mirë. E kam ndjekur me kujdes fjalën e tij në 32 vjetorin e PS dhe i pari që duhet të reflektojë është vetë kryeministri pasi ka përgjegjësinë e lidershipit politik për ta orientuar këtë pushtet të kësaj force politike dhe që të mundet ta mbajë këtë barrë pa kosto shumë të mëdha. Se barra kur dobësohet kurrizi të thyen në mes. Dhe mund të na ndodhi ajo që po i ndodh opozitës”, u shpreh ai.
Rivaliteti në PS
Më tej Xhafaj foli rreth rivalitetit të brendshëm në PS, duke theksuar se është i dobishëm në kushtet kur nuk shndërrohet në konflikt. “Unë mendoj që PS do të vazhdojë të mbetet një forcë e besueshme dhe udhëheqëse në këtë vend sa kohë do ketë harmonizim të mirë të gjeneratave. Sa kohë do t’i integrojë mirë të 3 apo 4 gjeneratat brenda formacionit politik. Dhe rivalitetet dhe konkurrencat e shëndetshme pa u kthyer në konflikt janë të shëndetshme. Edhe ambiciet janë gjëra normale. Brenda PS ka burra e gra që e meritojnë ta kenë këtë ambicie”, tha ai.
SPAK dhe lufta ndaj pandëshkueshmërisë
Ndërkohë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke komentuar punën e deritanishme të SPAK-ut, theksoi se për herë të parë në historinë e demokracisë së vendit tonë po goditet pandëshkueshmëria si fenomen dhe korrupsioni në nivelet e larta. “SPAK-u merr vëmendjen kryesore dhe duhet ta marrë, por nuk ka qenë vetëm ai qëllimi i Reformës në Drejtësi. Drejtësia në tërësi nuk është vetëm SPAK-u. Po aq të rëndësishëm janë elementët e tjerë, që janë prokuroritë, gjykatat e shkallës së parë, Gjykata Kushtetuese… Do të ishte gabim të shikohej në mënyrë të njëanshme. SPAK-u u forcua si strukturë e posaçme në luftën kundër korrupsionit. Ka edhe vende anëtare të BE-së që e kanë si strukturë të posaçme, që u është dashur ta kenë për arsye të ndryshme. Ajo që ne bëmë është që i dhamë edhe përgjegjësinë e luftës kundër korrupsionit. Ky ishte realiteti ynë dhe i dhamë një forcë dhe autoritet shumë më të mirë sesa ajo e Krimeve të Rënda”, theksoi ai. Ndërkaq, Xhafaj hoqi një paralele, kur tha se në kohën kur Shqipëria qeverisjes nga demokratët, sipas tij, nuk bëhej fjalë që prokuroria të godiste në nivele të larta. “Në qeverisjen e Partisë Demokratike as që mund të bëhej fjalë të ndodhte kjo gjë. E gjitha kjo është meritë e Reformës në Drejtësi, që i dha zgjidhjen më të mirë të mundshme, bazuar në eksperienca të vendeve të tjera. Ka vetëm 3 vite e gjysmë që kur ka nisur punë Prokuroria e Posaçme dhe shumë më pak që kur ka nisur Byroja Kombëtare e Hetimit. Sot po gjykojmë pak vite punë dhe i vëmë në peshoren e kritikës, duke harruar që dy vite janë pak”, nënvizoi ish-ministri i Brendshëm, njëherësh deputeti i PS, Fatmir Xhafaj.
Taljo
Xhafaj mbështet propozimin e Lulzim Bashës: Vendit i duhet një sistem i ri elektoral
Kodi i ri elektoral pritet të jetë tema e nxehtë që do të dominojë diskursin politik me nisjen e sesionit të ri parlamentar, në një kohë kur partitë e vogla synojnë të realizojnë një referendum për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Lidhur me këto lëvizje për të përmirësuar përfaqësimin në politikë, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj la të kuptohet në një intervistë televizive këtë fundjavë se fundi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 mund të jetë afër. Sipas Xhafajt, ndryshimet demografike, emigrimi, por edhe faktorë të tjerë të shtyjnë drejt gjykimit se vendi ka nevojë për një sistem të ri elektoral. “Për një pjesë të amendamenteve të 2008 unë kam qenë kundër forcës sime politike. Dhe nuk jam përfshirë në ato amendamente. Por kanë kaluar shumë vite dhe kanë ndryshuar shumë gjëra, ndaj mendoj se vendi ka nevojë për një reformë kushtetuese dhe institucionale në raport me partitë politike. Që do të thotë që ka nevojë për ta riparë sistemin elektoral që kemi edhe për shkak të hartës dhe ndryshimeve demografike që ka pësuar vendi. Ka nevojë për të ndryshuar ligjin për partitë politike dhe parashikimet kushtetuese e ligjore që lidhen me mandatet politike. Pjesë e kësaj mund të jetë dhe sistemi elektoral”, deklaroi ai. Më tej deputeti socialist nënvizoi se çdo ndryshim duhet përshtatur me kohën dhe kontekstin politik ku ndodhet vendi, ndaj palët duhet të jenë shumë të kujdesshme me kodin e ri zgjedhor. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse një zgjidhje duhet dhënë në kontekstin e momentit kur zbatohet. Nëse do ta bënim një sistem mazhoritar do kishte problematika lidhur me barazinë gjinore, me futjen e të rinjve në politikë etj… Nëse do bënim një sistem të pastër proporcional do ti jepte më pak mundësi individëve që vijnë, ose mundësi që të thithësh disa vlera që janë të nevojshme për shkak të emigrimit. Do kishte pasoja edhe për momentin sepse disa me anë të fuqisë financiare që kanë mund ta ndikonin votën me sistemin proporcional të pastër. Po të analizojmë me kujdes rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe të mëparshme, kuptojmë se rezultati ka të bëjë me këtë lloj ndikimi”, u shpreh ai. Xhafaj gjithashtu nënvizoi se nuk pajtohet me ata që thonë se po s’pate lekë dhe po s’u lidhe me të fortët nuk bëhesh dot deputet, duke treguar shembullin personal që arriti të thyejë herësin në Tiranë, edhe pse kryeministri Rama e renditi të 23-n në listën e kryeqytetit. “Unë marrë shembullin tim, kurrë në jetën time nuk kam paguar 1 lek për votë. Apo të kem marrë vota në këmbim të një interesi të caktuar. Apo njerëz të fortë që kanë qenë në krah tim për të më siguruar vota. Edhe në këto zgjedhje, ku edhe vetë ata që më çuan te 23 nuk e besonin që, dhe më bën një nder të madh pasi provova veten se ku isha”, nënvizoi deputeti Xhafaj.