Tronditet basketbolli kosovar, 3 në pranga për trukim ndeshjesh

0
83

Nuk ka kurdisje ndeshjesh vetëm në futboll. Me sa duket fenomeni është i shtrirë edhe në kategori të tjera sporti e në Kosovë duket se basketbolli është infektuar keqas nga trukimet e rezultateve. E pranojnë edhe mediat në tërësi: basketbolli i Kosovës është tronditur. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka arrestuar gjatë ditës së sotme tre persona të dyshuar për kurdisje të ndeshjeve. Në dy operacione të ndara në tri rajone: Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Shtypi dardan shkruan se dy personat që kanë përfunduar në pranga janë Arbnor Rifati, trajneri nga Prizreni. Dhe Daut Mehmeti, gjyqtar nga Prishtina. “Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara, në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura informacionet shtesë”, lexohet në komunikatën zyrtare të Policisë së Kosovës. Nuk mungon reagimi i Federatës e Basketbollit të Kosovës, që zotohet të luftojë deri në fund fenomenin e trukimeve. “FBK njofton të gjithë opinionin sportdashës se është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media. FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë. Ne zotohemi për lojë të ndershme dhe do të luftojmë këto dukuri deri në fund!” pritet që hetimi i kësaj çështjeje dhe penalitetet për shkelësit të vijojnë në ditët në vazhdim. Imazhi i basketbollit në Kosovë, është cenuar rëndë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here