Google search engine
Home Sport UEFA zbardh formulën e kualifikimit të skuadrave europiane në Botërorin e vitit...

UEFA zbardh formulën e kualifikimit të skuadrave europiane në Botërorin e vitit 2026

0
138

UEFA ka sqaruar rrugën e kualifikimit për fazën grupore të Kupës së Botës 2026. Edicioni i ardhshëm i Botërorit, që organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja, do të jetë turneu më i madh, pasi pjesëmarrës do të jenë 48 shtete. Në Kupën e Botës 2026, 16-të shtete do të jenë evropiane. Kualifikimet evropiane për Botërorin e Katarit përbëheshin nga 10-të grupe me nga pesë apo gjashtë shtete. Secili fitues i grupit kaloi direkt në turneun final, ndërsa tri vendet tjera ishin caktuar nga “play-off”-i mes 12 ekipeve. Formati i ri do të ketë numër më të madh të grupeve, nga 10-të sa ishin, në 12-të. Megjithatë, secili grup do të përbëhet nga katër apo pesë skuadra dhe do të ulet numri i ndeshjeve kualifikuese. 12-të fituesit e grupeve automatikisht do të kualifikohen në Kupën e Botës, ndërsa 12-të ekipet e vendit të dytë do të luajnë në “play-off”. Atyre do t’u bashkohen katër skuadrat me renditjen më të mirë në Ligën e Kombeve nga edicioni 2024/25, nëse nuk arrijnë të kualifikohen nga faza grupore e kualifikimeve. 16-të skuadrat në “play-off” do të ndahen në katër rrugë. Secila skuadër do të luajë një gjysmëfinale, ndërsa fituesit kalojnë në finale. Katër fituesit do të kualifikohen direkt në turne. Ndërkohë, UEFA ka hequr dorë nga impiantet me kapacitet të vogël për finalet në Europa dhe Conference League, duke zgjedhur për vitet në vazhdim impiante mbi 40 apo 50 mijë spektatorë. Dy finalet e edicioneve të kaluara ishin organizuar në stadiume me kapacitet prej 20 mijë ulëseve, ndërsa të përfshira ishin skuadra nga Italia, Anglia dhe Holanda. Finalja e vitit 2024 për garën e tretë më të rëndësishme të organizuar nga UEFA është caktuar të luhet në stadiumin e ri të AEK-ut të Athinës, që ka kapacitet të 30 mijë ulëseve. Në vitin 2025, stadiumi i Slask Vroklavit do të jetë nikoqir. Ka kapacitet prej 41 mijë shikuesve, ndërsa ishte edhe nikoqir i tri ndeshjeve të Kampionatit Evropian 2012, kur Polonia ishte nikoqire me Ukrainën. Finalja inauguruese e Ligës së Konferencës ishte zhvilluar në “Air Albania” të Tiranës në Shqipëri. Roma kishte fituar ndaj Fejnordit në vitin 2022. Stadiumi i Slavia Pragës me kapacitet prej 19 mijë shikuesve ishte zgjedhur si nikoqire e finales ndërmjet Uest Hem Junajtid dhe Fiorentinës. Triumfoi Uest Hemi. Skuadra angleze ka mesatare prej 62 mijë shikuesve për ndeshjet në shtëpi në Premier League. Stadiumi i Sportingut të Lisbonës me kapacitet prej 50 mijë ulëseve, është zgjedhur për të qenë nikoqir i finales së Champions së femrave 2025.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here