Nëse arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako konsiderohet si goditje e madhe nga SPAK, për shkak se cilësohet “peshk i madh”, në horizont prangat duket se po kërcasin edhe për familjarët e Sali Berishës të akuzuar si të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale. Bëhet fjalë për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Zoti Malltezi po hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Kjo dosje është drejt mbylljes dhe mësohet se në vijim SPAK do të lëshojë urdhër arreste ku në prangat e drejtësisë pritet të bien dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Gazetari i njohur Adriatik Doçi ka zbuluar se SPAK ka sekuestruar ditët e fundit, kompjuterat e dhëndrit të Berishës dhe Fatmir Bektashit. “Pas dy vjet ‘hetime’, vetëm ditë e fundit janë sekustruar kompjuterat e kompanive të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit, në kuadër të kërkimit të provave për veprën penale të pastrimit të parave. Kompjuterat janë sekuestruar me vendim gjykate pas kërkesës së SPAK. Se çfarë është gjetur në komjuter nuk dihet, por zëri i dhëndrit mjedisor sa vjen e hollohet”, shkruan gazetari investigativ Adriatik Doçi.
Si e privatizoi pronën publike Jamarbër Malltezi
“Dhëndri i nongratës Jamarbër Malltezi është pronar me 35-50 % i 19 kullave në Tiranë me vetëm 39 mijë euro para të ligjshme që mund t’i investonte. Kullat i ka ngritur në pronën publike, ish Klubi Partizani, të cilën e tjetërsoi gjatë periudhës 2006-2009, me anë të vjehrrit, në atë kohë kryeministër”, thotë gazetari investigativ. Sipas tij, për pronën e pretenduar ka pasur një shpronësim nga Italia fashiste në vitin 1939. “Për pronën e pretenduar ka pasur një shpronësim nga Italia fashiste në vitin 1939. Megjithatë, nga trashëgimtar fals i 27 m2 tokë që mund t’i takonin, dhëndri i nongratës përlau një pjesë të madhe të 29 mijë m2 tokë të tjetërsuar. Dhëndri i gjobiti pretendentët e tjerë, duke u marrë 1/3 e pronës, si garanci për kthimin e pronës, falë angazhimit të vjehrrit kryeministër”, shkruan ai ndër të tjera. Gazetari Adriatik Doçi shkruan se këto hetime kanë dy vjet që po ecin me hapin breshkës. “Dhëndri ka përdorur pushtetin e vjehrrit për zgjerimin e pronës së grabitur. Trashëgimtarët e tjerë e kanë pranuar tarifën e korrupsionit, me parimin kap ça të papësh, ndryshe mund të mbeteshin pa asgjë. Hetimet për këtë mega aferë të familjes Berisha po ecin me hapin e breshkës, në raport me shpejtësinë e SPAK për të arrestuar drejtorë dhe kryebashkiakë të pushtetit, për një projekt qensh, kanal, 300 mijë lekë etj”, shkruan ai.
Detajet nga hetimet e SPAK
Sinjalet se kjo dosje po “qepet” u dhanë para disa javësh me lëvizjen e SPAK. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, pasi ishte ky i fundit që kallëzoi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” ku është ndërtuar një kompleks pallatesh. Burime bëjnë me dije se orkestruesi i madh i kësaj afere Sali Berisha, bashkë me përfituesin, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi rrezikojnë prangat. Muajt e fundit kanë dhënë shpjegime para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ish-ministrat e qeverisë “Berisha 2”, por edhe personazhe të tjerë kyçë. Kjo dosje pritet të tronditë zyrtarë të nivelit të lartë dhe biznesmenë. SPAK gjatë këtyre muajve të fundit ka mbledhur të gjitha provat. Për të thelluar hetimet, përpara Taulant Ballës, ka thirrur Afrim Tolen. Ky i fundit ka qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit, për Privatizimin e Objektit “Klubi Shumë-sportësh “Partizani. Tole nuk është i vetmi që është marrë në pyetje. Kujtojmë se disa muaj më parë për të njëjtën çështje është marrë në pyetje dhe ish-drejtori i klubit Partizani, Isa Tare. Ka dëshmuar dhe ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet që ka kryer gjatë periudhës që i është dorëzuar shkresa për ish-kompleksin Partizani. Para hetuesve janë paraqitur ish ministrat e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa për roli e tyre në procesin e privatizimit korruptiv. Pra dosja po “qepet” mirë dhe nga SPAK po përgatiten arrestime, ku “peshku” i parë pritet të jetë Jamarbër Malltezi.










































