Mes emrave që janë propozuar nga bashkitë për qytetarë nderi kanë rezultuar edhe disa ish-sigurimsa. Madje nuk mungojnë rastet kur ata në periudhën komuniste kishin dalë dëshmitarë në gjyqe politike. Faktin se bashkitë e vendit, apo dhe institicuionet e shtetit shqiptar janë mbushur me ish-Sigurimsa e tregon dhe numri i ulët i kërkesave për pastrimin e figurave, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga partitë. Skandalin e ka zbuluar Autoriteti i Dosjeve në raportin vjetor për vitin 2022. “Gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, shumë organe të pushtetit vendor kanë vlerësuar zbatimin korrekt të ligjit nga ana e Autoritetit dhe kanë mirëpritur kërkesën, për të nisur bashkëpunimin me qëllim ruajtjen e besimit të publikut në punën e institucioneve, por vetëm 9 bashki nga 61 prej tyre kanë paraqitur 22 kërkesa për verifikim të pastërtisë së figurës të 60 shtetasve të propozuar, për 1 kandidat për emërim ngritje në detyrë, 15 kandidatë në kuadër të dhënies së titujve vendor të nderit “Qytetar Nderi”, apo dekorim nga ana e Bashkive dhe 44 kandidatë të propozuar për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik. Janë mbyllur procedurat e verifikimit për 42 shtetas. Mbi bazën e dokumentacionit të administruar nga Autoriteti, vetëm për gjashtë kandidatë, për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik, apo dekorim e tituj nderi, kanë rezultuar dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, nga të cilët 5 figurojnë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, ndërsa 1 kandidat si dëshmitar në çështje penale politike”, thuhet në raport.
Spiunët marrin poste të larta në Shqipëri
Gjithashtu Autoriteti i Dosjeve thotë se në sitë janë vendosur dhe kandidatë të tjerë në institucione të tjera shqiptare. “Përveç kërkesave të pushtetit vendor për verifikim të kandidatëve për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik apo dekorim të shtetasve, Autoriteti, gjatë vitit 2022, ka kryer, brenda afateve të kërkuara nga institucionet, procedurat për vlerësim të cilësive etiko-morale dhe profesionale të kandidatëve për t´u zgjedhur në organet e reja të vetingut dhe atyre për t’u zgjedhur në/nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, institucioni i Presidentit të Republikës, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Departamenti i Administratës Publike, Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera të paraqitura. Në total, për periudhën janar – dhjetor 2022, nga Autoriteti janë marrë 81 vendime dhe janë verifikuar 210 kandidatë, nga të cilët vetëm për 6 kandidatë rezultojnë dokumente, pra figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si b.p., ose si dëshmitarë në procese politike”, shkruhet ndër të tjera në raport.
Ndryshimet në ligj
Në vitin 2022, ligji funksional nr. 45/2015 pësoi ndryshime dhe shtesa në dispozita të veçanta të tij, të cilat nëpërmjet adresimit të pengesave në legjislacionin ekzistues, shfuqizimit të dispozitave ndaluese ligjore që e pengonin Autoritetin të dispononte kompetencën e dhënë nga ligjvënësi, vënies në dispozicion të mjeteve dhe mekanizmave ligjorë të nevojshëm për realizimin e qëllimit të ligjit, ndihmojnë në implementimin e saktë dhe pasqyrimin me vërtetësi dhe transparencë të veprimtarisë, përmirësojnë dhe harmonizojnë kuadrin ligjor të veprimtarisë së institucionit me ligje të tjera zgjerojnë rrethin e subjekteve që informohen, duke u shërbyer jo vetëm atyre që kanë qenë drejtpërdrejt subjekte të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, por çdo qytetari që kërkon të njohë historinë e njërit prej regjimeve më të egra komuniste, si dhe mediave apo studiuesve e kërkuesve shkencorë, duke siguruar garanci nëpërmjet zbatimit të procedurave gjatë hetimit administrativ, mbrojtjen e të dhënave personale, bashkëveprimin me institucione qendrore, etj.