Shqipëria kalon Ishujt Faroe dhe kap vendin e dytë në grupin E eliminator

0
148

Shqipëria e nisi ndeshjen e mbrëmshme ndaj Ishujve Faroe aty ku e kishte lënë në “Air Albania” ndaj Moldavisë, pra në sulm dhe me eufori të plotë. Natyrisht kjo mënyrë sjelljeje nuk shkonte në linjën e trajnerit Silvinjo, i cili kishte apeluar që skuadra të bënte lojë të kujdesshme, të mos i linte shans kundërshtarit dhe të tregohej racionale në veprimet sulmuese. Në minutat e para skuadra jonë kombëtare i zbatoi këto detyra, arriti të shkonte në avantazh e të krijonte shumë raste, por lojtarët nuk u treguan të qetë e të saktë në finalizim, ku Sokol Cikalleshi humbi shumë raste të pastra shënimi, përfshi dhe një penallti. Dhe në futboll rregulli i pashkruar “kur huk shënon e pëson”, vlejti në fund të pjesës së parë kur Ishujt Faroe shënuan golin e barazimit.

Ndeshja

Skuadra kuqezi zbriti dje në fushë në stadiumin e kryeqytetit të Ishujve Faroe, Torshavn, me një skemë taktike sikurse ndaj Moldavisë, por me emra disi të ndryshëm. Në difensivë zbriti Berisha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, kurse në mesfushë u aktivizuan Ramadani, Bajrami, Asllani, e në sulm Cikalleshi, Seferi e Asani, në një modul taktik 4-3-2-1. Në 10 minutat e para skuadra jonë u përshtat në fushë dhe vuri piketat si duhet në fazën ofensive, ndërsa u desh të vinte minuta e 20-të për golin e parë, ku Bajrami, duke shfrytëzuar pasimin e bukur e të saktë të Asanit, goditi tokazi në pozicion të prirët dhe tundi rrjetën, duke shënuar një gol pak a shumë si ai ndaj Moldavisë. 1-0 dhe gjërat dukeshin në rrugën e duhur për skuadrën e Silvinjos. Loja e kuqezinjve merr vrull dhe në minutën e 32-të Cikalleshi fiton një penallti të cilën e ekzekuton vetë. Por portieri vendas e priti gjuajtjen e tij. Më tej Asani, Seferi dhe Cikalleshi shpërdorojnë shumë, sidomos veterani kavajas, që humbet dy-tri raste të mrekullueshme. Në minutën e fundit të pjesës së parë, në një aksion pa pretendime të Ishujve Faroe, një krosim në zonë nga Edmundson shndërrohet në gol nga Faroe që shënoi me kokë. Pjesa e parë mbyllet 1-1.

Pjesa e dytë/ Eurogola nga “shqiponjat kuqezi”

Në pjesën e dytë Shqipëria korrigjon shpejt gabimet dhe hidhet në sulm për golin e dytë. Asani përpiqet të regjistrojë nga jashtë zone, por s’ka saktësi.Megjithatë, në minutën e 51-të është Kristjan Asllani që shënon një supergol me goditje nga jashtë zonës. Ky gol solli qetësi në pankinë, gjë që e shprehu entuziazmi i trajnerit Silvinjo. Në minutën e 64-t Shqipëria ka shans për golin e tretë. Por Seferi, me portën e boshatisur, bën më të vështirën dhe e nxjerr jashtë. Edhe në minutat në vazhdim tanët vijojnë të humbasin raste të pabesueshme. Ndërkohë që Ishujt Faroe mund të na kishin ndëshkuar rëndë me goditjet e tyre standarde dhe krosimet e rrezikshme në zonë. Në minutat e fundit trajneri Silvinjo u jep shansin në fushë Bares, Sadikut, Mehmetit e Muçit. Ky i fundit shënoi nëpërmjet një aksioni perfekt në minutën e 90-të, duke kombinuar bukur me Uzunin dhe në fund me të majtën e dërgon topin në rrjetë. Fiton Shqipëria me rezultatin 3-1 dhe kap vendin e dytë në grupin E eliminator, pasi Polonia u mund mbrwmw nga Moldavia, në Kishiniev, me shifrat 3-2.

Grupi E

Ishuj Faroe-Shqipëri    1-3

Moldavi-Poloni           3-2

Çekia               pushim

Renditja

1.Çekia            7

2.Shqipëria      6

3.Moldavia      5

4.Polonia         3

5.Ishujt Faroe  1

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here