I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në diskutimin publik në Uashington me emisarin, Miroslav Lajçak i është përgjigjur kritikave se kanë mbajtur qëndrim të njëanshëm në konfliktin aktual Kosovë-Serbi. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë treguar asnjëherë tolerantë ndaj Serbisë, por as të vështirë ndaj Kosovës. “Gjithçka që kemi bërë në 90 ditët e fundit dhe 15 vjetët ka qenë në favor të Kosovës. Serbia s’donte që ta njihnim, por ne e bëmë. Serbia s’donte kampanjë njohjesh, por ne e bëmë. Edhe në 90 ditët e fundit, Serbia donte t’i bënim presion Kosovës që t’i shmangë zgjedhjet, ne nuk e bëmë. Donte që të thoshim se zgjedhjet ishin të paligjshme, ne nuk e bëmë. Donte të thoshte se kryetarët ishin të paligjshëm, ne nuk e thamë dhe i njohëm. Sfidoj këdo që të më tregojë se ku kemi qenë të vështirë me Kosovën e të butë me Serbinë”, ka thënë ai. Ai ka theksuar se SHBA-ja e ka shtyrë Kosovën në çështjen e Këshillit të Evropës dhe se nga Kosova kërkon koordinim të ngushtë. “Gjithashtu t’i kuptojë obligimet e veta ndërkombëtare. S’mendoj se kjo është diçka që ne ishim të vështirë ndaj Kosovës. Përkundrazi, e kundërta”, ka thënë Escobar. Nga ana tjetër i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë diskutimit publik në Uashington tha se deri tani Kosova nuk ka shfaqur vullnetin politik për zgjedhje të reja në Veri. Ai tha se s’ka afat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për katër komunat, ndërsa shtoi se BE ka bërë thirrje që ato të shpallen sa më shpejtë. “S’ka afat për zgjedhjet. Gjithçka varet nga vullneti politik. Por ne bëjmë thirrje që të mbahen menjëherë. Ka procedura kushtetuese qe duhet të ndiqen qe kryetarët të dorëhiqen, askush nuk dëshiron të shtyjë një zgjidhje jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës. Por deri tani s’kemi parë vullnet politik për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Lajçak.