Merkato vijon të jetë e fortë për disa skuadra të Kategorisë Superiore, ku më aktivët janë padyshim Partizani e Tirana, në sensin e përforcimeve, pasi do të luajnë së shpejti në kupat europiane. Ka largime, sigurisht, por këto dy klube po i balancojnë lëvizjet me afrime cilësore. Tirana dëshiron të mbajë të paprekur bërthamën e sezonit të kaluar, por afrimet kanë tendencë të përmirësojnë repartet që më parë kishin probleme. Për këtë arsye trajneri Shehi ka vendosur piketat ku duhen lëvizjet dhe dje Tirana bëri një goditje të fortë në treg, duke kthyer në Kategorinë Superiore një futbollist cilësor e që e njeh mirë mentalitetin dhe nivelin e garës. ai është Gledi Mici, lojtar që ka provuar disa eksperienca jashtë Shqipërisë, e konkretisht në Maqedoninë e Veriut e në Kosovë. Në këtë të fundit ka qenë pjesë e Prishtinës, ku ka marrë vlerësime e tani do të shijojë sërish emocionet e Superligës Shqiptare.
Lëvizja
Siç e thamë më lart, Tirana është një nga klubet më aktive në merkato. Bardheblutë synojnë rikthimin te titulli kampion sezonin e ardhshëm dhe presidenca po vepron për të përforcuar skuadrën e Orges Shehit me lojtarë që bëjnë diferencë në planin teknik, por edhe që kanë përvojë në superioren tonë. Kështu, pasi rinovoi me trajnerin Shehi, Tirana ka firmosur me emra si Kaina Nunes, Gentian Selmani, Liridon Latifi dhe Albi Doka. Ndërkohë që afrimi i fundit është Gledi Mici. Anësori i majtë, i dha fund aventurës 3-vjeçare me Prishtinën, teksa ka luajtur më parë në Superiore me Apoloninë, Kamzën, Flamurtarin, Kukësin, Skënderbeun. Dhe Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. 32-vjeçari ka një eksperiencë të madhe mbi supe, ndërkohë që ka fituar trofe me fanellat e Flamurtarit, Kukësit, Skënderbeut, Shkëndijës dhe Prishtinës.
Rikthimi i Dokës
Lëvizja më e bujshmja, të paktën deri në këtë moment pasi bëhet fjalë për një rikthim të madh si ai i Albi Dokës. Ishte vetë klubi 26-herë Kampion i Shqipërisë që zyrtarizoi në rrjetet sociale marrëveshjen me Dokën, teksa bie në sy edhe mënyra e veçantë e prezantimit me mbrojtësin që rikthehet në shtëpinë e tij. Bardheblutë sigurojnë linjën e djathtë të fushës me 25-vjeçarin që është një prodhim i kryeqytetasve, por që prej tre vitesh ishte larguar jashtë Shqipërisë, për t’u aktivizuar fillimisht me Goricën në Kroaci e më pas me Honved në Hungari. Këto eksperienca nuk shkuan sipas pritshmërive për Dokën e tashmë futbollisti rikthehet sërish aty ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist me shpresën se Tirana do t’i shërbeje edhe njëherë tjetër si “trampolinë”. Kujtojmë se Doka është shpallur edhe kampion me bardheblutë, pikërisht në vitin e 100-vjetorit të klubit (2020-tën) teksa ishte një nga elementët kryesorë të skuadrës që në atë kohë drejtohej nga Emanuel Egbo. Ardhja e Dokës, Micit e Latifit, por edhe të tjerëve, e forcon së tepërmi Tiranën këtë sezon dhe bardheblutë mund të ecin disa raunde në LIgën e Konferencës, e mund të jenë pretendentët kryesorë për titull sezonin e ri.