Shqipëria do të luajë sot në mbrëmje përballë Ishujve Faroe, në duelin e tretë me radhë në grupin E eliminator të Kampionatit Europian “Gjermani-2024”. Pas dy ditësh stërvitje cilësore në vendin e vogël në VP të Europës, një grup ishujsh në Atlantik, trajneri brazilian i Kombëtares u ka mbajtur lojtarëve një leksion të gjatë se si do të duhet ta konceptojnë takimin e sotëm dhe si duhet të sillen në fushë për të dalë me tri pikë nga kjo përballje. Kështu, Silvinjo ka apeluar tek lojtarët që të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin. Të bëjnë maksimumin për ta fituar ndeshjen jo thjesht si lojë cilësore, por me gola të sigurt e me rezultat të sigurt. në fakt, pranohet se Ishujt Faroe, duke qenë se i kanë marrë një barazim Moldavisë, do të përpiqen ta përsërisin këtë sukses, duke u rreshtuar në mbrojtje.
Qëndrimi i Silvinjos
Pavarësisht fitores në Tiranë kundër Moldavisë, trajneri kuqezi, Silvinjo u shpreh se nuk ka eufori në skuadër. Ndërsa foli edhe për formacionin ndaj Ishujve Faroe. “Unë e shoh si një ndeshje të vështirë. E kemi thënë prej disa ditësh që nuk ka ndeshje të lehta dhe ne po përgatitemi sa më mirë. Sa i përket formacionit, kemi një seancë të fundit sot dhe do të shohim gjendjen e lojtarëve. Më pas do të vendosim. Sa i përket situatës, nuk ka eufori. E kemi theksuar dhe ritheksuar që kemi 6 finale përpara. Pres që lojtarët të vrapojnë me 100km/h që ne të arrijmë objektivin. Pasi kjo është mënyra e vetme. Ndeshja me Ishujt Faroe është diçka krejt ndryshe nga ajo me Moldavinë. Është një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj që euforia nuk ka vend në skuadër sepse ndeshja me Moldavinë ka mbaruar për ne. Morëm 3 pikët, një ndeshje shumë e vështirë, por tashmë e kemi mbyllur atë kapitull. Kemi përpara gjashtë ndeshje të vështira, 6 finale. Nesër ndaj Ishujve Faroe kemi një ndeshje të fortë. Luajmë ndaj një rivali që mund të përshtatet gjatë gjithë kohës në fushë me skema të ndryshme. Është një lojë tepër fizike, lojtarët e Ishujve Faroe janë shumë të rrezikshëm. Sidomos në lojën në ajër dhe në goditje standarde. Ritheksoj edhe njëherë që ndeshja me Moldavinë është tjetër histori dhe për ne ka marrë fund. E kemi fokusin vetëm te ndeshja me Ishujt Faroe. Është një rival krejt ndryshe, në fushë, në lojë. Ndaj Moldavisë vërtetë na u deshën 52 minuta për të gjetur golin, por ndeshjet luhen 90 minuta dhe e rëndësishme është fitorja. Na duhet pak durim dhe seriozitet dhe presim që të jetë një ndeshje shumë e vështirë këtë herë”, theksoi Silvinjo. Trajneri në mënyrë të përsëritur theksoi se kjo ndeshje nuk ngjan me atë ndaj Moldavisë, është e një karakteri krejt tjetër, por kjo vlen për të gjithë kundërshtarët në grup e për secilën ndeshje në veçanti. “Duhet të shohim përpara, kemi një ndeshje kundër Ishujve Faroe që po e përgatisim shumë mirë dhe jemi gati të zbresim nesër në fushë. Të luftojmë dhe të marrim maksimumin ndaj një ekipi që luan fort në aspektin fizik dhe dinamik. Duhet të jemi të fokusuar sepse kemi një rival të fortë”, përfundoi Silvinjo..








































