Pavarësisht tentativave të Sekretarit të PD, Gazment Bardhi, Kryesia e Partisë Demokratike vendosi dje të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtare më 20 qershor. Pas një mbledhje maratonë që zgjati më shumë se 5 orë, kryesia e PD me shumicë votash vendosi Organizimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë. Pranë Komisionit Zgjedhor, secili kandidat paraqet kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023. Fushata zgjedhore zhvillohet nga data 24 Qershor deri në datën 27 korrik 2023. Zgjedhjet për kryetar të PDSH zhvillohen në datë 29 korrik 2023. Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor zhvillohet brenda muajit shtator 2023. Kryesia e PD u mblodh me kërkesë të 1/5 së anëtarëve të saj, ndërkohë që anëtarët që votuan pro ishin 17. Bëhet fjalë për Arbi Agalliu, Kreshnik Çollaku, Jemin Gjana, Fitim Zekthi, Gentian Gaba; Endri Hasa, Indrit Sefa, Roland Bejko, Taulant Zeneli, Gazment Koduzi, Taulanda Jupi , Flutura Açka, Orjola Pampuri, Agron Kapllanaj, Enkelejd Alibeaj, Xhemal Gjunkshi dhe Merita Bakiu (online). Ndërsa nëntë deputetë demokratë me në krye Gazment Bardhi, Helidon Bushati, Lefter Geshtenja , Saimir Korreshi , Bledjon Nallbati , Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Juela Hamati dhe Jonila Godole nuk morën pjesë në mbledhje. Ndërkohë që 3 deputetë të tjerë, Jorida Tabaku, Ori Nebiaj dhe Flamur Hoxha kanë dhënë dorëheqjen, kështu që rrjedhimisht nuk janë pjesë e mbledhjes. Por me këtë vendim, Kryesia e Partisë Demokratike ka nxjerrë jashtë loje dhe madje ka hedhur në erë skenarin ogurzi të Gazment Bardhit, për të bllokuar zgjedhjet për pasuesin e Enkelejd Alibeajt në krye të PD.
Reagon Bejko
Ndërkohë nga ana tjetër, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike zyrtare, Roland Bejko, ka qenë i ftuar dje në një studio televizive, ku dha detaje nga mbledhja e kryesisë që u zhvilluar ditën e djeshme. Zoti Bejko theksoi se në mbledhje u diskutuan detajet e zgjedhjeve që priten të mbahen për kryetarin e PD-së në 29 korrik. “Mbledhja po zhvillohet për të vendosur modalitetet për zgjedhjet. Anëtarët e kryesisë nuk kanë njolla tenderësh, bashkëpunim me oligarkët. Nuk janë oligarkia e havjarit. Po diskutohen modalitetet e zgjedhjeve. Po diskutohet rregullorja me te cilën do të punohet në zgjedhje. Do të diskutohet plotësimi i vakancave të komisionit të zgjedhjeve. Na iku një muaj kot duke u marrë me retorikë të brendshme, ndërkohë duhet të ishte mbledhur kryesia”, deklaroi Bejko.
Çfarë ka ndodhur?
Sekretari i Përgjithshëm dhe njëherësh Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, Gazment Bardhi ka kundërshtuar hapat që po ndiqen nga kryesia për zgjedhjet për kryetar, duke i quajtur anti-statutore ato. Së pari, ai thotë se anëtarësia përcaktohet nga Sekretariatet e Degëve dhe jo nga krerët e degëve, sikurse përcakton kryesia ndërsa kundërshton edhe anashkalimin që Kryesia i bëri mbledhjes së Këshillit Kombëtar për hapjen e garës. Në kërkesën e tij, Gazment Bardhi argumenton se do të informojë Këshillin mbi procesin sesi Statuti parashikon për certifikimin e anëtarësisë, ndërkohë që vendimi i fundit i Kryesisë ka parashikuar një procedurë që nuk njihet nga Statuti, duke marrë kompetencat e Këshillit Kombëtar, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të kryesisë së degëve. “Kryesia ka shkelur statutin me vendimin për t’u dhënë kryetarëve të degëve dhe grupit të punës të drejtën për evidentimin apo përditësimin e anëtarësisë. Sipas statutit, këtë të drejtë e kanë vetëm Sekretari i Degës, Kryesia e Degës dhe Sekretari i Përgjithshëm; Heqja e të drejtës së votës, siç thuhet në vendimin e kryesisë, nuk është kompetencë e kryetarit të degës, grupit të punës apo Komisionit Zgjedhor. Vendimi heq ketë të drejtë ekskluzive të përcaktuar në statut kryesisë së degës. Regjistri i degës përditësohet sipas rregullave që miratohen vetëm prej Sekretarit të Përgjithshëm; Komisioni Zgjedhor funksionon vetëm pas miratimit nga Këshilli Kombëtar. Pa u miratuar komisioni nga Këshilli Kombëtar nuk mund të nisë procesi zgjedhor”, shprehet marioneta e Sali Berishës.
Zgjedhjet për kreun e ri të PD, ja kush janë anëtarët e Komisionit Zgjedhor
1. Jemin Gjana, Kryetar
2. Indrit Sefa, Anëtar
3. Enriketa Papa, Anëtar
4. Gazment Koduzi, Anëtar
5. Xhemal Bushati, Anëtar
6. Aurora Domni, Anëtar
7. Myzafer Elezi, Anëtar
8. Rezart Kthupi, Ndihmës
9. Ervis Xhako, Ndihmës