Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi ditën e djeshme të përjashtojë për 15 vite nga sistemi i drejtësisë prokurorin e Tiranës, Besnik Cengu. Trupa gjykuese arsyetoi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka arsyetuar në mënyrë të gabuar anulimin e procesit kalimtar të vetingut dhe nxjerrjen në pension të tij. Vendimi i djeshëm është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. Në seancën dëgjimore të së hënës, 63-vjeçari Cengu këmbënguli në KPA se kërkoi daljen në pension për shkak të probleme në zemër që vuan prej vitesh, ndaj ai nuk mund të konsiderohet se dha dorëheqjen, por u detyrua nga rrethanat shëndetësore. Nga ana tjetër, KPK zhvilloi seancë dëgjimore për prokuroren e Tiranës, Mirela Zavalani. Ajo u pyet për kriterin e pasurisë, pasi iu kërkua të justifikonte pasuritë e vjehrrit të saj.
Vendimi i KPA për Besnik Cengun
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 16/2023, datë 24.04.2023 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 629, datë 03.03.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja ‘b’, e ligjit nr.84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, në mënyrë unanime, vendosi: 1. Ndryshimin e vendimit nr. 629, datë 03.03.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë mënyrë: i.Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. II .Në zbatim të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit Besnik Cengu, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15 vjeçare. 2. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.
Cengu u nxor në pension nga KPK pasi vuante nga zemra, KP e ankimoi në KPA
Në 2 mars 2023, prokurori Cengu shpjegoi në KPK se vuan nga zemra prej 10 vitesh dhe se nuk do të kërkonte të rikthehej më në detyrë, pasi nuk ishte në gjendje të punonte. Ai shtoi se kërkonte që të mos vendosej ndalimi 15-vjeçar, pasi nuk i dukej i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Në 3 mars 2023, Komisioni i Pavarur i Kualikimit miratoi kërkesën e tij që të mbyllte procesin e rivlerësimit kalimtar, pa marrë formë të prerë. Ky vendim u ankimua nga Komisionerja Publike Irena Nino në KPA. Ajo kërkoi të ndryshohet vendimi i KPK dhe të vendosë veç ndërprerjes së vetingut për Cengun dhe ndalimin 15-vjeçar për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë. Ky qëndrim u mbajt edhe nga vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ata arsyetuan se ishte përdorur gabimisht baza ligjore për të shpëtuar Cengun duke mos aplikuar pasojat që sjell ndërprerja e vetingut për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit, ashtu si përcaktohet në nenin G të Kushtetutës. Cengu e nisi karrierën si oficer i policisë gjyqësore, ndërsa nga 2005 punoi si prokuror në Prokurorinë pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë.
635 m2 banesë me para nga firmat piramidale, prokurorja Zavalani pyetet në KPK
Prokuroria e Tiranës, Mirela Zavalani u vlerësua pozitivisht për 2 nga 3 kriteret e procesit të rivlerësimit kalimtar: pastërtia e figurës dhe profesionalizmi. Por, kalimin me sukses të vetingut e ka penguar çështja e pasurisë së vjehrrit të saj. Për këtë shkak, ajo u mor në pyetje nga KPK-ja ditën e djeshme. Trupa gjykuese u mor dhe me qiranë së paguar nga kunati i saj në një objekt në pronësi familjare, midis bashkëshortit të saj dhe të babait të tij. Objekti në fjalë është banesë me sipërfaqe 635 m2 dhe është ndërtuar nga vjehrri i prokurores në vitet 1994-2006 në Patos. Prokurorja u shpreh se ishte në pamundësi objektive për të provuar të ardhurat e vjehrrit gjatë viteve 1990, pasi një pjesë e tyre kishin ardhura si pasojë e investimeve të tij në firmat piramidale “Xhaferri” dhe “Gjallica”, për të cilat ajo nuk kishte gjetur dokumentacion. Burimet financiare gjatë viteve 2004-2006 dhe të ardhurat nga qiraja që kunati i paguante bashkëshortit të saj, u trajtuan dje në seancë.
Karriera e Zavalanit, nga OPGJ në arrestimin e Alda Klosit për pastrim parash
Mirela Zavalani e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në 1999 si oficere e policisë gjyqësore. U emërua si prokurore në 2007. Deri në 2012 ushtroi profesionin në Lezhë. Që prej këtij viti punon si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Zavalani ka ngritur akuza për pastrim parash ndaj ish-drejtoreshës së kabinetit në Ministrinë e Financave, Alda Klosi. Ajo denoncoi pastruesen e saj se i kishte vjedhur 120 mijë euro. Zavalani ngriti dyshime se këto para të Klosit mund të jenë siguruar në mënyrë kriminale.