Lionel Mesi refuzoi ofertën e majme të Al-Hilalit nga Arabia Saudite dhe mundësinë e rikthimit te Barcelona për t’u transferuar në SHBA si lojtar i lirë. Por, ai ndoqi një rrugë që e kanë përshkruar më të mëdhenjtë e futbollit, duke zgjedhur kampionatin amerikan. Kështu kanë bërë “yjet” e mëdhenj para tij. Përshembull, Edson Arantes do Naskimento, njohur si Pele, ishte tri herë kampion i Botës dhe lojtari më i mirë në botë kur u largua nga Brazili në vitin 1975 për shansin që të jetë fytyra e futbollit në Amerikën e Veriut. Pele iu bashkua ekipit Nju Jork Kozmos në moshën 34-vjeçare. Emri i Peles solli bujë që sportit i mungonte në Amerikën e Veriut. Pele shënoi 64 gola në tri edicione për Kozmosin, duke ia siguruar ekipin titullin e ligës në vitin 1977. Një tjetër yll që zgjodhi Amerikën është David Bekham. Ai ishte 31 vjeç dhe sapo kishte përfunduar katër edicione me Real Madridin kur iu bashkua ekipit Los Angeles Galaxy në vitin 2007. Ishte marrëveshja më fitimprurëse që liga kishte parë deri më sot dhe hodhi themelet që Beckham të bëhej pronari përfundimtar i Inter Miamit. Bekham kaloi gjashtë edicione në Los Angeles. Pele ishte lojtari i parë i madh ndërkombëtar që luajti në SHBA. Beckenbauer ishte i radhës. Gjermani ndoqi gjurmët e Peles duke iu bashkuar Nju Jork Kozmosit në vitin 1977 dhe luajti për katër edicione. Ekipi fitoi kampionatin tri herë me Bekenbauerin në ekip. Ai u kthye në Gjermani për dy edicione përpara se t’i bashkohej Kozmosit për edicionin e tij të fundit si lojtar në vitin 1983. Por ndikimi në Amerikë ishte i tillë që Bekenbaueri u fut në “Hollin e Famës të Futbollit të SHBA-së” në vitin 1998. Emri tjetër i madh ishte Johan Krujf. Dalja e tij e shkurtër në pension përfundoi në vitin 1979 kur nënshkroi me ekipin Aztecs të Los Anxhelesit në SHBA. Holandezi u votua lojtari i vitit në ligë në edicionin e tij të vetëm në Los Anxheles, pasi shënoi 14 gola në 22 ndeshje. Ai qëndroi në ligën amerikane edhe në vitin 1981, por u transferua te Ëashington Diplomas. Zlatan Ibrahimoviç vijoi këtë rrugëtim. “Këtu unë jam si Ferrari mes veturave Fiat”, ishte deklarata e famshme. Ai luajti në MLS për vetëm dy edicione me LA Galaksi. Ishin edicione të paharrueshme, të mbushura me mendjemadhësi, guxim dhe disa gola spektakolar. Ibrahimoviçi shënoi një gol pothuajse nga gjysma e fushës në ndeshjen e tij të parë kundër rivalit LAFC. Në vitin 2019, në moshën 37-vjeçare, Ibrahimoviç shënoi 30 gola në 31 ndeshje. Ai vijoi ende të luajë, por tashmë në Europë me Milanin.








































