Google search engine
Home Bota Rajoni “Ndizet” Mali i Zi, shpërthen skandali para zgjedhjeve, kreu i mazhorancës i...

“Ndizet” Mali i Zi, shpërthen skandali para zgjedhjeve, kreu i mazhorancës i zhytur në skema korrupsioni, Dritan Abazoviç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

0
110

Fushata zgjedhore në Mal të Zi për zgjedhjet e nesërme dukej se ishte e qetë.  Por duket se ishte “qetësia para stuhisë”, pasi shpërtheu një skandal i nivelit të lartë. Kreu i partisë më të madhe në vend, Partisë për Integrime Evropiane të presidentit Jakov Milatoviç, është përfshirë në një skandal financiar. Milojko Spajiç, kreu i PES është denoncuar nga mediat malazeze si personi që po mbron një nga mashtruesit më të mëdhenj ndërkombëtarë të kriptovalutave, pikërisht koreanin De Kwon. Kjo ka sjellë një debat të fortë të brendshëm në Partinë e Presidentit dhe një reagim të fortë nga e gjithë politika e Malit të Zi. Është interesante se përveç opozitës, skandalin e kanë dënuar ashpër edhe i gjithë grupi i partive mazhoritare, madje në debat ka ndërhyrë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

“Bomba” e Do Kwon

“Mbreti i kriptomonedhave”, koreano-jugori Do Kwon dërgoi një letër nga paraburgimi në Mal të Zi në të cilën fliste për një marrëdhënie biznesi të supozuar me liderin e Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, të cilin shumë e shohin si kryeministrin e ardhshëm të Malit të Zi.Do Kwon, i cili kërkohet nga SHBA dhe Koreja e Jugut për mashtrim në tregun e kriptomonedhave me vlerë 40 miliardë dollarë, inkriminoi Spajic në letër, duke pretenduar se ai dyshohet se kishte mbërritur në Mal të Zi me ftesë të tij. Më pas, kryeministri Dritan Abazoviç mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas së cilës njoftoi se në letër thuhet se Do Known ka paguar, pra ka ndihmuar subjekte të caktuara politike. Ministri i Punëve të Brendshme Filip Axhiç. pas mbledhjes së Këshillit tha se policia malazeze ka informacione se Spajiç dhe Do Kwon janë takuar në Beograd. Do Kwon u arrestua në fund të marsit në aeroportin e Podgoricës në një avion privat që duhej të fluturonte për në Dubai. Që atëherë, ai është në paraburgim në Mal të Zi me akuzën e falsifikimit, por SHBA dhe Koreja e Jugut kërkojnë ekstradimin e tij.

Dora e qeverisë

Të enjten, lideri i PES, Milojko Spajiç, njoftoi në Twitter se shërbimi sekret malazez, së bashku me kundërshtarët e tij politikë, po planifikojnë ta arrestojnë atë para ditës së zgjedhjeve. Ai po ashtu u ka bërë thirrje organeve kompetente shtetërore që të hetojnë rastin. Megjithatë, Spajiç nuk i ka sqaruar publikisht marrëdhëniet e tij biznesore apo personale me Do Kwon. Sipas parashikimeve, PES do të jetë selia e qeverisë së re dhe sondazhet e opinionit publik tregojnë se ata mund të kenë mbështetjen e rreth 30 për qind të votuesve. Lëvizja “Evropa tani” doli nga qeveria e parë e formuar pas zgjedhjeve parlamentare në gusht 2020 dhe liderët e saj janë ish-ministrat në atë qeveri, Milojko Spajiç dhe Jakov Milatoviç. Ajo qeveri u formua më pas nën ndikimin e fortë të Kishës Ortodokse Serbe dhe u drejtua nga ish-kryeministri Zdravko Krivokapiç. Spajiç dhe Milatoviç fituan mbështetjen e qytetarëve pasi arritën ta rrisin pagën minimale në Mal të Zi nga 220 në 450 euro në fillim të vitit 2022. Madje, ky i fundit mposhti Milo Gjukanoviç dhe u zgjodh president në muajin prill.

Ndikimi në zgjedhje

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të marrin pjesë 15 parti politike dhe koalicione. Përveç Lëvizjes Evropa Tani, e cila duhet të marrë mbështetjen e një të tretës së votuesve, projeksionet tregojnë se Partia Demokratike e Socialistëve duhet të fitojë rreth 20 për qind të votave.Kryeministri aktual Dritan Abazoviçështë në koalicion me Malin e Zi Demokratik të Aleksa Beçiqit dhe pritet të fitojnë nga 10 deri në 15 për qind të votave.Në prag të zgjedhjeve, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus pushoi së ekzistuari si koalicion partish politike, sepse Lëvizja për Ndryshim u largua. Anëtarët e tjerë po konkurrojnë së bashku dhe parashikohet të kenë ndërmjet 10 dhe 15 përqind të mbështetjes. Kur bëhet fjalë për partitë e pakicave, parashikohet se dy parti shqiptare do të marrin një mandat secila. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të dielën do të monitorohen nga disa qindra vëzhgues vendas nga CEMI dhe CDT dhe misioni ndërkombëtar i OSBE-së. Rreth 550 mijë votues do të kenë të drejtë vote.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here