Gazetari Lavdrim Lita ka identifikuar pjesëtarë të një nga grupeve të shumta që operojnë në veri të Kosovës. Përmes fotove të mundësuara nga gazetarët e terrenit duken qartë Anëtarët e klanit të Veljko Belivuk, një kriminel që niset me grupin e tij nga Beogradi për të krijuar trazira në Veri.
Mes këtyre grupeve ka dyshime edhe për anëtarë të Wanger-it rus.
“Ka dyshime që dhe operatorë të Wagner-it janë prezent në veri të Kosovës dhe ka pasur herë pas here sinjalizime për stërvitje të tyre apo për veprime, megjithatë duhet thënë një gjë, që këto nuk janë risi, e kemi parë edhe më parë me barrikadat apo me rastin e targave. Këto personazhe dalin herë pas here në ngjarje për të krijuar trazira. Në protestë nuk ka qytetarë të zakonshëm,” – u shpreh Lita.
Gazetari sqaroi se këto klane organizojnë trazira herë pas here për të ndihmuar Vuçiç. Kryesisht janë klane, grupe kriminale që merren me kontrabandë dhe strehojnë njerëz që i shmangen drejtësisë në Kosovë.
“Këta persona janë pjesë e një plani operacional që bën herë pas here shërbimi sekret serb për të krijuar trazira në veri të Kosovës, për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme që ka Vuçiç dhe në këtë aspekt, Kosova dhe kryeministri Albin Kurti padashje e ka ndihmuar Vuçiç të dalë nga një krizë e brendshme,” – deklaroi Lita.











































