Pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet në fundjavë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk pranoi dje ofertën e presidentes Katerina Sakellaropoulou për të marrë një mandat dhe për t’u përpjekur të krijonte një qeveri koalicioni. Ai kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda disa javësh për të siguruar shumicën që i nevojitet për të qeverisur i vetëm. Disa orë pasi përfundoi votimi të dielën, kryeministri 55-vjeçar tha se do të “ndiqte të gjitha procedurat kushtetuese”, por la të kuptohej qartë se nuk do të angazhohej në bisedime për koalicion. “Unë besoj se mesazhi i votuesve ishte shumë i qartë. Nuk besoj se ka baza për të formuar një qeveri nga ky parlament dhe dua të theksoj se nëse do të ishte në fuqi dje sistemi elektoral që do të përdorim në zgjedhjet e ardhshme, Demokracia e Re do të kishte një shumicë të fortë parlamentare prej më shumë se 170 vendesh”, tha ai. Kryeministri grek tha se do ta kthente mandatin, në mënyrë që t’u hapej rruga zgjedhjeve të reja. Me 99.55% të votave të numëruara deri herët të hënën, partia e tij konservatore fitoi 40.79% të votave, dyfishi i atyre të forcës kryesore të opozitës, partia e majtë Syriza e cila siguroi 20.07% të votave. Shumë nga qytetarët grekë thanë se e kishin pritur një rezultat të tillë, edhe pse ndoshta jo një humbje aq të thellë të opozitës. “E prisja që Demokracia e Re të fitonte, por jo me këtë përqindje. Nuk mbetet shumë për të thënë, ai (Mitsotakis) i mundi bindshëm dhe fitoi me të drejtë, sepse Tsipras nuk mundi të realizonte atë që kishte premtuar Syriza”, thotë Fotis Hatzos. “Jam e kënaqur. E prisja edhe pse jo kaq thellë. Nuk besoj se do të ndryshojë gjë me raundin e dytë”, thotë Marta, një punonjëse e sektorit publik.