Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka zbuluar planet sekrete që po thuren brenda opozitës shqiptare. Në rrjetin e saj social “Facebook”, Kokalari bën thirrje për dorëheqjen e kandidatin për Tiranën që pësoi disfatë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas saj, fajin për humbjen e Këlliçit nuk e ka ish-kryeministri Sali Berisha. Kokalari thotë se në këtë mes qëndrojnë pazare dhe “koka” e tyre që po i lëviz fijet është kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ajo shprehet se Meta ka që vjet duke thurur planin për të larguar Sali Berishën pas 14 majit. “Belind Këlliçi duhet të jap dorëheqjen nga kryesia sepse humbi zgjedhjet në mënyrë spetakolare, dhe jo ti jap frymë grupit të vet që kërkon dorëheqjen e Berishës. Fajin për humbjen e Këlliçit nuk e ka Berisha. Gafa e Berishës që s’besoj se e ka kuptuar akoma, ishte pa asnjë dyshim koalicioni me Metën, ama humbjen Këlliçi e vulosi në pazaret që janë bërë , dhe këto pazare do dalin brenda disa viteve. Grupi i Këlliçit i krekosur nga Meta vetë, kanë që vjet që këtë plan kishin – detyro Berishën të jap dorëheqjen mbas 14 Majit. Prandaj, nëse mendoni se Berisha duhet të ik pikërisht tashti, ju po lehtësoni marrjen e PD nga Meta”, u shpreh Kokalari.
Roli i Belind Këlliçit
Pra për Kokalari, Belind Këlliçi është politikani i infiltruar nga Ilir Meta tek demokratët për të zbatuar urdhrat e tij. Ju kujtohet kur Këlliçi donte të bëhej sekretar partie dhe disa nga ne e luftuan? Pikërisht për këtë moment e luftuam sepse sekretari partise ka të drejtë të thërres kuvendin për heqjen e kryetarit. Kuptoni tashti? Që Berisha e ka vërtetuar që nuk na çon në fitore më, kjo është e sigurt, por heqja e Berishës në këtë moment bëhet vetëm që bazën ta marri Këlliçi, Meta dhe disa të tjerë që ju gënjen mëndja se do ta vazhdojnë sistemin 32 vjeçar të korrupsionit. Prandaj mos u bëni naivë. Dorëheqjen duhet ta japi ata të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të parët!”, tha ndër të tjera Kokalari.
Kokalari nis Lëvizjen Konservatore
Për të prishur planet e Ilir Metës për të shkatërruar Partinë Demokratike, Kokalari ka njoftuar nisjen e lëvizjes konservatore në Shqipëri. Ajo shprehet se Lëvizja Konservatore zyrtarisht do fillojë në qershor kur ajo të jetë në Shqipëri, por shton se organizatorët janë në terren tashmë. Kokalari shprehet se qëllimi është të organizojë siç duhet të djathtën shqiptare, pa elementët e LSI, dhe të mbledhë individë që si ajo s’kanë nevojë për një karrige. Aktivistja paralajmëron ndryshime të forta në politikën shqiptare. “Duke qenë dëshmitarë të mungesës së përfaqësimit të duhur të pikëpamjeve konservatore dhe libertariane në skenën politike shqiptare; Duke qenë dëshmitarë të shkatërrimit të së djathtës shqiptare, fillimisht përmes ndarjes në dy grupe, dhe përfundimisht përmes shkrirjes së njërit grup në strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe shpërndarjes së grupit tjetër; Duke qenë dëshmitarë të mungesës së përfaqësimit dhe drejtësisë për viktimat, familjet dhe pasardhësit e viktimave të shtypjes komuniste; Duke qenë dëshmitarë të rritjes së populizmit dhe politikës së privilegjeve të strukturave të kaluara dhe aktuale qeverisëse; Duke qenë dëshmitarë të përkeqësimit të vazhdueshëm të miqësisë dhe aleancës së rrënjosur thellë dhe historike ndërmjet Shqipërisë dhe popullit amerikan si rezultat i politikave të këqija në vendin tonë: Ne, Lëvizja Konservatore Shqiptare, të bashkuar në bindje dhe besim në vlerat konservatore, synojmë ndërtimin e një koalicioni konservator shqiptar, të modeluar sipas politikave dhe pikëpamjeve të Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bazuar në vlerat dhe besimet tona të përbashkëta në Zot, familje dhe liri. Kjo deklaratë është një hap i parë drejt një marrëveshjeje përfundimtare të koalicionit, që do të hartohet dhe publikohet në një datë të mëvonshme, pas konsultave gjithëpërfshirëse me bazën, në veçanti me të rinjtë, të cilët janë kategoria më e anashkaluar nga partitë politike”, përfundon deklaratën Kokalari.





































