Google search engine
Home Politike “Baladë për tim atë dhe për vete”, ja poezia e Dritëro Agollit...

“Baladë për tim atë dhe për vete”, ja poezia e Dritëro Agollit për Ballistët

0
136

Mandej im atë i shtypte gishtat

Që krraknin si dy arra;

Papritur fliste për ballistat

E njohur nëpër ara:

– Hajt, italiani dhe gjermani

Me plot xhandarë e bishtër,

Po ç’desh të merrte zjarr kazani

Me dreqër dhe ballistër?

Dhe pse s’e marrin vesh rrufjanët,

Se pema e lirisë

Nuk mbillet bashkë me gjermanët

Në kopshtin e shtëpisë?

Dhe veç të zotin do kjo pemë,

S’pranon të huaj kurrë,

Përndryshe s’mbush me kokrra dhenë,

Se degët lidhin gurë…

Ah, keq të vjen! Këta vëllezër

Po bëhen për t’u qarë,

Se paskan qenë aq mendjepjepër,

Sa s’kam ç’të them më parë!-

2.

Papritur një ballist në lumë

Vraponte vjedhur rraqet,

Im atë u nxeh, u bë furtunë,

Ia shkuli veç mustaqet;

Ia shkuli krejt, ia dha në dorë,

Në zall nën plep u ul:

-Dhe po i mbajte, mor i gjorë,

Vërtet sërish t’i shkul!

Ti pa mustaqe tërë jetën

Do mbetesh, or qyqar,

Ta thuash nesër të vërtetën

Si dole fitimtar.

Mos vidh, or dreq, na nxive faqet,

Je fis i vjetër shumë!

Hajt, merri rraqet, por mustaqet

Kujtim do t’i mbaj unë!…-

M’u qesh dhe qesha me tim atë

Dhe kokën ula heshtur,

Ai u ngrys si ngrys një natë

Dhe tha në plep mbështetur:

– Dëgjo, o bir, nuk vras ballistë,

Të thonë e çka të thonë,

Një vatër jemi, një grunjishtë,

Një pellg i gjakut tonë.

Veç streha jonë atje mbi udhë

Ka tre kushërinj ballistë,

Dhe gjyshja jote ther një pulë

Kur vijnë ata si miqtë.

Ndaj tyre pushkën s’e zbraz kurrë,

S’u djeg çatitë e pragjet,

Kur s’kam ç’t’u bëj, i tremb me gurë,

Pastaj u shkul mustaqet.

Kaq gjë e bëj për ta, o djalë,

Kaq gjë e s’bëj më shumë,

Ndokush prej tyre mund të dalë

Një çast  më trim se unë…

Një tjetër gjë mund të ishte bërë:

Ballistat kur t’i zinim,

T’u shponim veshët me gjilpërë,

Në vesh një vëth t’u vinim.

T’i njihnin ç’burra kishin qenë

Dhe si e tundën malin

Tek lihnin tej si qen në hënë

Dhe mbrapsht e hipnin kalin.

Hajt, s’dihet ç’bëjnë e ç’nxjerrin bathët

Gjer nesër për të mjerët;

Do njihen ndofta dhe pa vathët,

Do mburren nga të tjerët;

“Ballistët vetë e ndezën luftën

Përgjakur me gjermanët

Dhe rastësisht në pjesë u futën

Në male partizanët…”-

Kështu e ka kjo botë e shkretë:

Del nesër një furtunë,

Një frikacak e ngre mbi retë,

Një trim e ul më gjunjë…-

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here