Mançester Siti shkatërron Realin e Madridit, finalja e madhe do të jetë përballë Interit

0
107

Mançester Siti është finalist i UEFA Champions League dhe në finale do të përballet me Interin. Mbrëmë anglezët mundën me rezultat të thellë 4-0 Realin e Madridit, në një takim të dominuar plotësisht e të fituar me meritë. Ishte një duel madhështor për skuadrën angleze, ndërsa spanjollët ishin në një ditë të shëmtuar të tyre, prandaj kualifikimi në finale i Sitit ishte bindës dhe tani anglezët janë favoritë për trofeun. Në duelin e mbrëmshëm të luajtur në stadiumin “Etihad” në Mançester, “Qytetarët” anglezë e dominuan bindshëm takimin, duke qenë spektakolarë në veprimet e tyre. Në fakt, anglezët bënë një ndeshje me ritëm të lartë, duke i bllokuar Realit çdo lëvizje e çdo strategji. Nën mbështetjen e zjarrtë të publikut, skuadra e Pep Guardiolës e nisi ndeshjen në sulm dhe po në sulm e mbylli. Në minutën e 23-të, Kevin de Bryjn krosoi bukur në zonë dhe aty goditi mjaft saktë Bernardo Silva duke shënuar golin e parë për Mançester Sitin. Ky gol i dha më shumë energji Sitit që nisi aksione të reja e më të forta sulmuese. Por Reali, në të parin rast të mirë e të vetmin për pjesën e parë, goditi shtyllën në minutën e 35-të, kur Kros u ndal nga traversa. Në minutën e 37-të, pas një aksioni të gjatë me protagonist Gundoganin, topi devijohet nga portieri Kurtua, por brenda zonës i lirë shfaqet Bernardo Silva që me kokë e dërgon topin në trekëndëshin e djathtë të portës madrilene, duke shënuar kështu golin e dytë. Me këtë rezultat (2-0) mbyllet pjesa e parë. Në pjesën e dytë Siti i Guardiolës e ruajti forcën ofensive, duke mos e ulur në asnjë moment rimin e lojës e duke ushtruar presion të vazhdueshëm. Realli ka dëshirë të dalë përpara dhe trajneri Ançeloti hedh në fushë lojtarë të vijës së parë, duke zëvendësuar veteranët Modriç e Kros, por madrilenët e kanë të vështirë të çajnë përpara, pasi nuk e kanë potencën e “qytetarëve” anglezë. Madje këta të fundit mund të kishin befasuar me më shumë gola nëse do të kishin saktësi në pasimin final, sikurse ndodhi me Haland në minutën e 73-të, kur goditja e tij devijohet nga Kurtua, përplaset në traversë e përfundon jashtë. Por presioni i lartë dhe dobësia e Realit do të sillte efekt. Në minutën e 76-të, një goditje dënimi shndërrohet në gol, pasi krosimi i topit në zonë bëri Militaon të devijojë sferën në portën e tij. Ky gol i dha goditje përfundimtare Realit të Madridit, morali i të cilit ra përtokë. Në minutën e fundit të ndeshjes, Siti shënon golin e katërt, pas një aksioni perfekt që u finalizua nga argjentinasi Alvarez. Përfundimisht, fiton Mançester Siti 4-0, e shkon në finale ku do të gjejë Interin. Finalja e madhe do të luhet në Stamboll më 10 qershor, në stadiumin olimpik “Ataturk”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here