Kreu i “Foltores”, Sali Berisha duket se nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjen shkatërruese që pati në këto zgjedhje vendore, duke fituar vetëm në 7 bashki nga 61 gjithsej, por aq më tepër duke u braktisur totalisht nga shqiptarët për votën për Këshillat Bashkiakë. Berisha theksoi dje në një konferencë për mediat se nuk ka shanse që ai të tërhiqet. Ish-Kryeministri thotë se zgjedhjet janë manipuluar, pasi sipas tij është bërë presion, janë blerë komisionerë, janë intimiduar zgjedhësit, si edhe janë hedhur dhjetëra milionë euro për të blerë votat. “Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha poll e kundërshtarëve, por edhe tonat e nxirrnin Bardh Spahinë 14-16 pikë para. Nëse mendon ti ose ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë. Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro, jemi bindur që qytetarët e Shkodrës zgjedhjen e krimit, pushtetin e krimit s’do ta pranojnë, kjo është përgjigja ime për ju”, deklaroi ai.
“Non-grata” hedh kunja për Ilir Metën
Ndërkohë Berisha e futi ndër faktorët kryesorë të humbjes së tij faktin që emri i tij nuk ishte në fletën e votimit, por ishte ai i Ilir Metës. Nuk dihet se sa i ‘lumtur’ do të jetë Meta për këtë qëndrim të aleatit të tij. Madje ai theksoi se Rama privoi të gjitha fondet që i takonin me kushtetutë koalicionit Bashkë Fitojmë. Gjithashtu, kryefoltoristi shtoi se një tjetër faktor për humbjen ishte edhe mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës. “E kemi të qartë si në dritën e diellit përpjekjen e narko shtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij. Një aleancë krimi në nivel politik nëntokësor apo terreni, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit trinomi Rama-Doshi-Brava. Ishte shëmtia më e madhe me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës të vërtetë të koalicionit Bashkë Fitojmë ishte një akt tjetër pabarazie e madhe. Dhuna, terrori ndaj eksponentëve të opozitës është përdorur gjer në pengmarrje të tyre”, u shpreh ai.
Berisha sulmon Ramën
Më tej gjatë fjalës së tij, Sali Berisha thotë se ka prova dhe fakte se kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, Rama është armik i egër i përbetuar i votës së shqiptarëve. “Rama armik i egër i përbetuar i votës së shqiptarëve. Një apel për mbarë popullin opozitar, për çdo shqiptar që beson se shteti ligjor, se barazia para ligjit, se liritë dhe të drejta e tjera të qytetarit funksionojnë vetëm në rast se shoqëria voton e lirë. Ata që shohin vendin e tyre të shkretohet me shpejtësi. Ata të cilët të dëshpëruar nga kjo maskaradë zgjedhore po bëjnë gati valixhet të ikin nga Shqipëria, janë të ftuar të qëndrojnë fuqishëm për të rivendosur me çdo kusht të drejtën e lirë të votës së shqiptarëve. PD ka në disponim me qindra fakte, dokumente me të cilat Rama ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, ka me dhjetëra padi në organet të cilat janë kryekëput vegla të partisë shtet. PD do paraqesë një raport shumë serioz pranë të gjitha autoriteteve që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri dhe kancelarive për të faktuar dhunimin masiv, shkelmimin masiv të të drejtës dhe rezultatin”, tha ai. Po ashtu, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të tij të qëndrojnë fuqishëm përballë kësaj organizate kriminale me emrin “Rilindja”. “Ajo çfarë ne qëndrojmë plotësisht se në një seri bashkish kandidatët që fituan janë kandidatë të botës së krimit, të drogës. Numërimet janë një Pazar i turpshëm që vazhdon të bëhet çdo minutë. Kësaj shëmtie elektorale opozita me besimin më të madh do t’i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme, ne nuk heqim do të kurrë nga ai zotim solemn që kemi të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë”, nënvizoi Berisha.
Nis “revolta” brenda “Foltores”
Por pas humbjes të koalicionit Berisha-Meta në bashkinë Lezhë, kreu i Rithemelimit në Shënkoll, Luigj Gjoka ka dhënë dorëheqjen. Në një dalje për mediat, ai u shpreh dje se nuk ka pësuar asnjëherë humbje ndaj do nuk e pranon më këtë post. Fajtor për rezultatin në Lezhë quan Sali Berishën dhe strukturat drejtuese që thotë se duhet të mbajnë përgjegjësi. “Falenderoj të gjithë mbështetësit. Në këto momente unë jap dorëheqjen të parevokueshme për arsye të rezultatit që ka dalë në Shënkoll. Nuk ka asnjë lloj morali të qëndroj më se kemi humbur. Është hera e parë që humb në Shënkoll. Arsyeja është se është ushtruar terror i jashtëzakonshëm nga shteti, nga Rama. Nuk e prisnim këtë rezultat se në Shënkoll kemi dalë me 1000 vota para PS. Sot kemi dalë me humbje. Berisha ka përgjegjësi së bashku me degën e PD Lezhë. Ka nevojë për rishikim dhe të mbajnë përgjegjësi të gjithë drejtuesit e PD Lezhë”, deklaroi Gjoka. Nga ana tjetër, Ded Doda, ka dhënë dorëheqjen nga strukturat e PD-së së Rithemelimit në Lezhë, pas humbjes drastike që pësuan në këtë qytet. “E ndjej si përgjegjësi morale, si detyrim, por jo për t ‘u strukur as tërhequr ndaj bishës egër komuniste! Jap dorëheqjen nga strukturat e PD ,si nënkryetar i grup seksionit zona Kashnjet! Beteja ime nuk mbaron këtu ,si anëtar i thjeshtë i PD do jem po ai palodhur dhe i pamposhtur”, shkroi dje Doda në rrjetet sociale.










































