Google search engine
Home Politike Refuzimi i heshtur, shifrat zyrtare të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 14 majit...

Refuzimi i heshtur, shifrat zyrtare të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 14 majit nxjerrin zbuluar katastrofën e madhe, ja si qytetarët bojkotuan politikën shqiptare, shënohen dhe 40 mijë vota të pavlefshme

0
99

Shifrat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që u publikuan ditën e djeshme treguan se ka një refuzim masiv të qytetarëve të pavendosur, të qytetarëve të moderuar, të votuesve të rinj dhe njerëzve kritikë të këtij vendi për ofertën e opozitës. Sipas raportit të KQZ, tregohet qartë se ata që kërkonin një alternativë të re për Shqipërinë munguan në zgjedhje. Mospjesëmarrja i dedikohet bojkotit, që ata i kanë bërë ofertës së opozitës, e cila nuk ishte një ofertë në emër të opozitës, por ishte një lloj oferte personale dhe një luftë personale e lidershipit të opozitës. Pra qytetarët shprehën lodhjen e tyre ndaj gjendjes së politikës shqiptare. Më poshtë do të gjeni të analizuar përqindjen e pjesëmarrjes dhe rezultatet në zgjedhjet vendore të 2015-s, ato parlamentare të 2021 dhe në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan më 14 maj.

Pjesëmarrja në 14 maj

Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet vendore të 14 majit është 38.22% për qind. Shifrat i bëri të ditura komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Kjo pjesëmarrje është regjistruar për kandidatët për kryetarë bashkie, megjithatë kryekomisioneri Celibashi theksoi se edhe për kandidatët për këshilltarë bashkiakë shifra është thuajse e njëjtë. Më konkretisht kanë votuar 1.395.360 qytetarë nga 3.650.658 emrat që ishin në listë. Nga 122,545 zgjedhës që votonin për herë të parë më 14 maj, sipas të dhënave të raportuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 16 628 prej tyre ose 13.5% e kanë ushtruar të drejtën e votës ditën e diel.

Krahasimi me zgjedhjet e kaluara

Në 2021, pjesëmarrja ishte 46.33 për qind, ose 1.66 milionë. Në zgjedhjet e 2015, pjesëmarrja ishte rreth 47 për qind, ose pak më shumë se 1.6 milionë votues. Shifrat tregojnë se në këto zgjedhje, ka të paktën 400 mijë votues më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Shifra e atyre që bojkotuan procesin në krahasim me zgjedhjet vendore të 2015-s dhe ato parlamentare të 2021 nuk justifikohet vetëm me emigrimin. Sipas të dhënave të Eurostat, nuk janë më shumë se 40 mijë qytetarë shqiptarë që janë larguar nga vendi në dy vitet e fundit. Kjo është një katastrofë politike. Do të ketë shumë nga ata që do të thonë se këta kanë emigruar, por Tirana e rrëzon këtë teori. Një pjesë e vogël mund të jenë larguar. Të tjerët kanë folur me heshtje.

Sa vota u humbën nga 2021

Kandidatët e Partisë Socialiste në të gjithë vendin morën 765 mijë vota të dielën, gati 46 mijë vota më pak nga sa Partia Socialiste dhe aleatët e tyre joformalë, Partia Socialdemokrate, patën marrë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Përkundrejt kandidatëve socialistë, kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatët e Partisë Demokratike zyrtare morën së bashku të dielën 522 mijë vota. Në vitin 2021, dy partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, patën marrë së bashku 730 mijë vota. Në total, opozita ka humbur 207 mijë vota në të gjithë territorin e vendit në krahasim me votat që pati marrë në zgjedhjet e kaluara. Koalicioni i majtë kishte 810 mijë ne 2021, ndërsa në 2023 ka 765 mijë vota. Koalicioni i djathtë kishte 729 mijë në 2021, ndërsa në këto zgjedhje ka marrë 522 mijë vota.

Votat e pavlefshme

Teksa është mbyllur procesi i numërimit në të gjitha bashkitë, ku janë shpallur edhe kandidatët fitues, janë publikuar gjithashtu edhe votat e pavlefshme, që rezulton se në mbarë vendin janë 39,338 të tilla. Në disa prej bashkive, ku rezultati ka qenë i ngushtë, në rast se këto vota do të rezultonin të rregullta, mund të ndryshonin fatet e shumë prej tyre, duke sjellë përmbysje të mëdha mes kandidatëve. Megjithatë, për aq kohë sa për to, nuk ka ende asnjë ankimim në KQZ, rezultatet tanimë janë përcaktuar. Këto vota të shumta të pavlefshme mund të jetë dhe një forme revolte nga qytetarët për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here