Mbrëmë u luajtën ndeshjet e para gjysmëfinale të Ligës së Europës dhe në Ligën e Konferencës së UEFA-s, ku ra në sy fitorja e vështirë e Romës përballë Leverkusenit me rezultatin 1-0, por një fitore që vlen shumë për fatet e kualifikimit, pasi bën që italianët të hedhin një hap përpara drejt finales së madhe. Vendimtar për duelin ishte goli i Bove shënuar në minutën e 63-të, pas asistimit të Abraham. Duhet thënë se loja ishte përgjithësisht e ekuilibruar, por Murinjo shquhet si trajner rezultativ, që merr maksimumin nga grupi dhe me fitoren e mbrëmshme i është afruar shumë finales së madhe të Europa League. Ndërkohë, skuadra tjetër italiane që ishte në gjysmëfinale, Juventusi, u përball me kampionen në fuqi, Seviljen, në një ndeshje që u mbyll në barazim 1-1. Në fillim shënuan të parët spanjollët, që në pjesën e parë, me anë të të përhershmit En Neshiri, por “Zonja e Vjetër” italiane barazoi në sekondat e fundit me golin e shënuar nga Gati në minutën e 7-të shtesë. Padyshim që favoritë janë spanjollët, të cilët do ta luajnë ndeshjen e kthimit në fushën e tyre një javë më vonë. Juventusi, edhe pse ka ardhur deri në këtë raund, nuk duket aspak bindës në fushën e lojës e në rezultate. Po mbrëmë, u luajtën ndeshjet e para gjysmëfinale të Ligës së Konferencës, ku ra në sy përmbysja e Fiorentinës nga Bazeli. Ndeshja u luajt mbrëmë në Itali dhe fiorentinët ishin në avantazh që në minutën e 25-të, pasi shënoi Kabral. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për italianët, por në pjesën e dytë zviceranët do të bënin befasinë e madhe. Diuf shënoi në minutën e 71-të, pasi u asistua nga mesfushori shqiptar Taulant Xhaka. Ky gol u dha zemër miqve që në fundin e duelit, pikërisht në minutën e 2-të shtesë, shënoi Amduni. Pra fitoi Bazeli me rezultatin 2-1 dhe hedh një hap të madh drejt finales. Thënë ndryshe, Taulant Xhaka mund të jetë një finalist e pse jo një fitues i madh i trofeut të Ligës së Konferencës. Dueli tjetër gjysmëfinal në Ligën e Konferencës ishte ai mes Uest Hemit anglez dhe AZ Akmar holandez. Fituan anglezët me rezultatin 2-1. Pjesa e parë u fitua nga holandezët 1-0, por Uest Hem përmbysi me dy gola në pjesën e dytë dhe e fitoi takimin, duke qenë kështu më afër finales. Gjithsesi, holandezët do të kenë shansin të luajnë duelin e kthimit në fushën e tyre dhe e kanë të hapur një shans. Kujtojmë që në Ligën e Kampioneve të luajtur të martën dhe të mërkurën, në gjysmëfinalet e para, Mançester Siti barazoi 1-1 me Realin e Madridit, kurse Interi fitoi gjysmëfinalen e parë me Milanin me rezultatin 2-0. Të gjitha duelet e kthimit luhen javën e ardhshme.