Kryeministri Edi Rama duket se e ka të pamundur të distancohet nga korrupsioni dhe inkriminimi, fenomene të cilat i ka instaluar në çdo qelizë të qeverisjes së tij. Për zgjedhjet e 14 majit sërish rikandidoi një mori kandidatësh të cilët kanë probleme të theksuara me ligjin. Ata që duhet të ishin përpara SPAK, Rama u jep “imunitet” dhe i kandidon për zgjedhjet vendore. Por teksa na ndajnë katër ditët nga dita kur qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive vendore për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, janë plot 45 kryebashkiakë aktualë, një pjesë e mirë e tyre kanë shkuar njëherë në SPAK, ose u është referuar dosja në Prokurori për tendera të dyshimtë dhe abuzime me detyrën. Dhe nuk janë pak kryebashkiakët në detyrë, të cilët janë marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK, apo janë kallëzuar njëherë të vetme. Mjafton të kujtojmë Armando Subashin për inceneratorin e Fierit dhe Gledian Llatja për djegësin e Elbasanit, dosjet të cilët tashmë ndodhen në duart e prokurorëve të SPAK dhe nuk është çudi që një ditë ata të kenë fatin e Lefter Kokës apo Alqi Bllakos. Edhe Emirjana Sako e Bashkisë së Durrësit ndodhet në të njëjtën valle, atë të inceneratorëve, për pagesat e paligjshme që i janë kryer Klodian Zotos. Po ashtu, për Sakon ka akuza të forta edhe lidhur me rindërtimin, proces të cilin qeveria e ktheu në instrument politik dhe votash, teksa sot dhjetëra familje ndodhen ende pa strehë mbi kokë. Tenderat e bashkisë së Durrësit me flamur të kuq janë diçka e zakonshme dhe ndoshta SPAK nuk e ka parë të udhës të shfletojë ndonjë prej tyre, se çfarë bëhet në realitet.
Bushi, Isai dhe Malaj
Për kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, në SPAK ka plot 7 kallëzime ndaj tij për një mori shkeljesh në ushtrimin e detyrës, që nga tenderat abuzivë e deri te punësimet në shkelje me ligjin. Qerim Ismailaj i Mallakastrës rrezikon të bëjë 1 vit burg, aq sa kërkoi SPAK për fshehje, në formularin e vetëdeklarimit, të dënimit me 3 vite burg në Greqi. Ismaili akuzohet se falsifikoi formularin e dekriminalizimit. Rama e rikandidon për një tjetër mandat. Nuk mbeten jashtë rrjetës së korrupsionit edhe kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai për të cilin SPAK ka një dosje të tërë me përgjime; ai i Matit, Agron Malaj, për tendera klienteliste; Tërmet Peçi, kryetari i bashkisë Tepelenë, për dhënie leje ndërtimi në shkelje me ligjin. Dhe “qershia mbi tortë” e emrave të rikandiduar nga Edi Rama është Erion Veliaj. I përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës, por ende SPAK nuk e ka thirrur edhe pse firma e tij ndodhet kudo, në çdo dokument që nga studimi i fizibilitetit, autorizimi, leja e pagesat miliona euro, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, drejt pronarëve fantazmë të inceneratorëve. Ka firmosur mijëra leje ndërtimi duke shpërfillur ligjin, planin urbanistik të kryeqytetit e trashëgiminë kulturore. Ndaj Veliajt ka padi në SPAK edhe për shembjen e Teatrit. Për të mos përmendur qindra tendera fiktivë, ose e thënë ndryshe tendera, ku ndahen paratë, që firmosen çdo ditë në tryezën e kryebashkiakut në largim. Me sa duket, të vetmit që Edi Rama nuk mundi të kandidojë nga kryebashkiakët që e kanë kthyer SPAK-un në shtëpi të dytë, janë Lefter Alla i Bulqizës dhe Fatos Tushe, për faktin e vetëm se janë prapa hekurave.
Përfundon në SPAK edhe kryebashkiakja e Roskovecit Majlinda Bufi
Ndërkohë Flamur Noka nga koalicioni i Berishës e Metës ka kallëzuar dje penalisht në SPAK. kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufin. Sipas Nokës kallëzimi është bërë për dy vepra penale nga ana e Bufit, “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Në kallëzim thuhet se kryebashkiakja ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe. Noka kërkon nga SPAK, ‘regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj shtetases së kallëzuar, kryetares në detyrë të bashkisë Roskovec, Majlinda Bufit. Po ashtu, me precedent penalë që akuzohen nga opozita dyshohet se janë edhe Kreshnik Hajdari, kandidat i PS për Bashkinë Kuçovë; Kristian Shkreli, kandidat i PS për Bashkinë Vau i Dejës; Beqir Mulaj, Kandidat i PS për Bashkinë Has, për të cilët Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ka kërkura hetim të thelluar nga prokuroria në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Ja disa nga kandidatët e opozitës me probleme
Por nuk janë vetëm kandidatët e Partisë Socialiste, pasi edhe nga radhët e opozitës ka disa emra që akuzohen se janë me të shkuar kriminale, për të cilët KQZ ka kërkura hetim të thelluar nga prokuroria në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Bëhet fjalë për Rezart Tushën, kandidat i ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë Shijak; Elvis Hajdërlli, kandidat i ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë Devoll; Alfred Beleri, kandidat i ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë Himarë; Agron Kapllanaj, kandidat i PD për bashkinë Mallakastër dhe Abedin Oruçi, kandidat i Partia për Europianizimin dhe Integrimin për bashkinë Kukës.



































