Marvin Prodani nuk vjen si emër i panjohur nga kontigjenti i Tiranës që siguroi titullin. Djaloshi e ka nisur karrierën që fëmijë me skuadra të ndryshme, duke ngjitur shkallët një e nga një. Këtë sezon u bë pjesë e Tiranës dhe në vitin e parë si bardheblu, ia doli të fitojë titullin, një sukses që do të mbetet gjatë në memorien e tij. Të fitosh një vend në formacion tek Tirana nuk është e lehtë, jo vetëm për shkak të rivalitetit, por edhe peshës së fanellës. Por Prodani ia doli me sukses, duke u bërë një nga “playmaker”-at më të rinj që fiton titullin në Superligën e basketbollit shqiptar. Në këtë numër të gazetës “SOT”, ai tregon emocionet e tij, njëherësh edhe planet për të ardhmen. “Tirana nuk e nisi mirë sezonin, ama mbylljen e bëri në mënyrë perfekte, duke merituar titullin. Them nuk e nisëm mirë pasi ne humbëm fillimisht Superkupën në Durrës përballë Teutës, në dhjetor të vitit të kaluar, kurse në janar humbëm gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Siç e dini sezonin e rregullt Tirana e mbylli në vend të tretë, pas Besëlidhjes dhe Teutës. Vendimtare për fatet e sezonit ishte faza e ‘play-off’-it. Ne ia dolëm të përmbysnim Besëlidhjen, një përmbysje jo e zakonshme nga 0-2 në 3-2. Por duhet të kuptojmë që ky sukses nuk është rastësor. Tirana është baza e elitës së basketbollit shqiptar. Edhe prurjet e huaja i ka të mira, cilësore. Kur grupi është i mirë, krijohet edhe vetëbesim. Madje, edhe kur ne ishim me finale 0-2 me Besëlidhjen, sërish kishim besim se do ta përmbysnim dhe ashtu rezultoi. Në këtë analizë më rezulton se ne ishim një skuadër me këmbë në tokë, që vepruam me racionalitet në momentin e duhur dhe për pasojë edhe festuam titullin”, thekson Prodani.
Titullar i padiskutuar, Prodani imponohet me cilësi tek Tirana
Djaloshi bardheblu kishte sezonin e parë tek Tirana, por ai ia doli të imponohet në formacion si titullar falë cilësive teknike, një playmaker i mirëfilltë dhe në progres të vazhdueshëm. “Këtë sezon luajta titullar i padiskutuar. Trajneri dhe klubi më dhanë besim dhe për këtë u jam mirënjohës. Në planin individual kam luajtur më shumë, 27-28 minuta për ndeshje. Takimet e fundit kanë qenë emocionuese për mua, sidomos kur mundëm në gjysmëfinale të ‘play-off’-it Teutën, një skuadër pretendente”, nënvizoi ai. Më tej Prodani rrëfen objektivat e tij për sezonin në vazhdim, duke mos e fshehur dëshirën për të luajtur në një kampionat cilësor jashtë vendit. “Të luaj jashtë vendit është objektivi im. Por nëse luaj në Shqipëri do të mbetem pjesë e Tiranës. Megjithatë, unë jam i mendimit se kur luan jashtë të jepet një shans më shumë për cilësinë e karrierës. Por fillimisht duhet ta shijojmë këtë sukses e më pas të bëjmë planet për të ardhmen”, shtoi ai. Në fund Prodani, duke qenë se është lojtar i Kombëtares, komenton duelet e korrikut në grupin paraeliminator. “Rumania dhe Sllovakia janë dy rivalët tanë, kundërshtarë të fortë, por unë jam i sigurt se mund të bëjmë diçka më shumë këtë herë, shanset për fitore ekzistojnë dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, përfundoi Prodani.



































