Muharrem Haklaj dhe Ajshe Haklaj, motra e madhe e Haklajve kanë vendosur që të çojnë ish-kryeministrin Sali Berisha para SPAK me akuzën se bashkë me bandën e tij të armatosur ka shfarosur familjarët e tyre në Tropojë. Të premten Aishe Haklaj dëshmoi për 12 orë në SPAK. Gazeta “SOT” po sjell detaje nga dosja që i është drejtuar drejtësisë së re me faktet që implikojnë Sali Berishën dhe të gjithë emrat e kallëzuar nga Muharrem Haklaj dhe Ajshe Haklaj.
Dëshmitarët që do të tronditin Berishën
Krahas grumbullimit të provave filmike të pasqyruara në masmediat elektronike, të gazetave dhe akteve që ndodhen në dosjet për ngjarjet e ndryshme kriminale ndaj Familjes Haklaj, SPAK-ut i është kërkuar të pyeten me cilësinë e dëshmitarit shtetasit Muharrem Haklaj, Hamdi Haklaj, Ajshe Haklaj, Zylfije Haklaj, Jaho Mulosmani, Izet Haxhia, Manush Selivrada, Drenicë Haklaj, Bujana Basha, Luljeta Selivrada, Bylbyl Lanaj, Hazir Dega, Nuredin Dega, Sokol Koçiu, Azgan Haklaj, Is Selim Kërrnaja, Ali Gjoni, Besnik Vidrica, Shpend Ali Mulosmani, Ndue Gjeloshi, Gjykë Nokashiqi, Latif Nokashiqi, Fatmir Daka, Fatmir Arif Arifaj, Gani Kërrnaja, Avdi Buçpapaj. Gjithashtu në kallëzimin penal thuhet se do të deklarohen të tjerë persona, sepse janë të rrezikuar me jetë nëqoftëse do të deklarojnë për sa kanë parë. Këta kërkojnë t’u sigurohet jeta, pastaj të deklarojnë si dëshmitarë okular. Sipas avokatit Idajet Beqiri, këta janë dëshmitarë kryesorë dhe do të dëshmojnë fakte të rëndësishme për zbulimin e së vërtetës të kësaj veprimtarie shumë të rrezikshme kriminale, të një bande të armatosur dhe organizate kriminale të drejtuar nga ish Presidenti i Republikës dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Sali Ram Berisha.
Vrasja e Halil Muharrem Haklajt
Në kallëzimin penal thuhet se: Në datën 04-08-1999 në orën 8:40’ të mëngjesit është vrarë Halil Muharrem Haklaj. Në një pritë të organizuar me mina në rrugën në vendin e quajtur “Brinja e Cerrnicës”, aty ku ndahet rruga në Lagjen e Paqes. Viktima i ndjerë Halil Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Hamdi Haklaj po udhëtonin nga shtëpia e tyre për në “Bajram Curri” me tre makina. Së bashku me ta ishin edhe Feriz Selim Kërrnaja, Sejdi Avduyl Dema, Ndue Gjergj Gjeloshi. Në makinën “Land Rover”, ngjyrë e bardhë, të cilën e drejtonte Sejdi Dema, ishin edhe Fatmir Haklaj dhe Hamdi Haklaj. Ndërsa në makinën tjetër, e cila ishte ambulanca e “Bajram Currit”, e cila drejtohej nga Ndue Gjeloshi, ishin Halil Haklaj dhe Feriz Kërrnaja. Po në atë ambulance udhëtonin edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë të cilët janë Gjykë Nokshiqi (gruaja) e Latif Ibër Nokshiqit së bashku me djalin e vet, nusen e djalit dhe me tre fëmijët e saj. Fatmir Haklaj po shkonte në pune në “B.Currri”, ku punonte me detyrën e Komandantit të grupeve të gatshëm në Komisariatin e Policisë. Minat që ishin vendosur për të kryer këtë akt të rëndë terrorist në rrugë, dhe që u aktivizuan me telekomandë, vranë viktimën e ndjerë Halil Haklaj dhe Feriz Kërrnaja, si dhe u plagos Fatmir Haklaj. Këto mina me telekomandë ishin të njëjta, sipas ekspertizës, me minat që vranë Eduard Osamn Haklajt në datën 06.05.1999.
Si i ekzekutua Halil Haklaj dhe Feriz Kërrnaja
Në datën 04.08.1999 në momentin që Halil Haklaj, Fatmir Haklaj, Feriz Kërrnaja, etj kanë rënë në mina të komanduara, ku Halili dhe Ferizi mbetën të vrarë, janë nisur dhe u kanë ardhur për ndihmë punonjësit e Komisariatit të Policisë Tropojë. Të Ura e Valbonës, ku u vra Halil Haklaj, ranë në mina edhe punonjësi i policisë Bashkim Gjyriçi, i cili kishte në makinë Fatmir Dakë. Makina u përmbys dhe mbeti i plagosur Bashkim Gjyriçi, të cilin e çuan në Spital, ndërsa Fatmir Daka ka ecur 500 metra dhe ka shkuar në vendin ku kishte mbetur i vrarë Halil Haklaj. Ai e ka gjetur të gjallë Halil Haklaj. Në rrugë ishte makina e Sejdi Demës. Hamdi Haklaj, i cili i kishte shpëtuar atentatit, ka thirrur Fatmir Dakën që të merrte makinën e Sejdi Demës dhe të nisnin Halil Haklaj për në Spital. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe specialistë xhenjerë. Për çudi kjo ngjarje në Tropojë për asgjësimin e Bandave pak ditë më parë është njohur nga shtypi i kohës. Ajo ka qenë shumë e organizuar, ku parashikoheshin të vriteshin të gjithë djemtë e Muharrem Haklaj dhe nuk ka patur interes nga institucionet Polici-Prokurori për të zbuluar autorët. Në momentin që Fatmir Daka ka hipur në makinë dhe ka ecur vetëm 5 metra mbrapa, autorët e krimit kanë aktivizuar me telekomandë minën tjetër, duke plagosur në kokë Fatmir Dakën.
Ja kush janë dëshmitarët që panë vrasësit
Hamdi Haklaj dhe persona të tjerë në vendngjarje i kanë parë vrasësit Përparim Hyka, Hajredin Haluci, Haki Hoxha etj. Ishin gjithsej 9 persona të veshur me rroba ushtarake me lara. Ndërsa dëshmitari okular Is Selim Kërrnaja ka njohur vrasësit Hajredin Halucinnë, Medi Hoxhën, Haki Hoxhën, Përparim Hykën, Selim Sejdi Hoxhën, si dhe ka parë me ta edhe një person tjetër të gjatë, të cilin nuk e ka njohur. Dëshmitari tjetër okular Ndue Gjeloshi ka parë të gjitha veprimet kriminale të komanduesve të minave që vranë Halil Haklaj, Feriz Kërnaja dhe plagosën Fatmir Haklaj e Fatmir Daka, si dhe ka njohur autorët e këtij krimi Përparim Hykën dhe një person tjetër, i identifikuar si pjesëtar i bandës. Në momentin që ka dëgjuar krismat e minave, Jaho Mulosmani është nisur menjëherë nga Bajram Curri, dhe ka dal në Koj, në një distancë shumë të afërt me Kokinë, vendin ku po komandoheshin minat. Jaho Mulosmani ka njohur komanduesit e minave vrastare Përparim Hykën, Haki Hoxhën, Medi Hoxhën. Deklarimet e tij janë një provë e rëndësishme si dëshmitar okular që ka qenë në vendin e ngjarjes.
Të tjerë persona gati të dëshmojnë në SPAK
Janë edhe dy dëshmitarë okularë nga fshati Koçanaj, të cilët i kanë parë dhe i kanë njohur 8 nga 9 personat vrasës, duke i bërë prezentë në Familjen Haklaj, por që duan garanci sigurie jete nga organi i akuzës për të bërë deklarimet e tyre për sa kanë parë ditën e ngjarjes. Vrasësit e Halil Haklaj janë Përparim Hyka, Haki Hoxha, Medi Hoxha, Selim Seidi Hoxha (ky person është dhëndri i mbesës së Sali Berishës), Hajredin Haluci, Tahir Sejdi Hoxha, Xhafer Baram Hoxha dhe një person, i cili ishte i panjohur. Bashkëpunëtorët kryesor të kësaj bande të armatosur, vrasës të Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja, në rolin e nxitësit, frymëzuesit dhe mbuluesit të gjurmëve të krimit, janë Sali Berisha, i cili i donte të gjitha të vrarë “Haklajt” si dhe Jonuz Hyka, i cili si drejtues i Policisë në Kukës, ishte në gjendje edhe të mbulonte çdo gjurmë të krimit. Pra në këtë krim makabër janë përfshirë mbi dy persona oficerë të policisë së shtetit”, thuhet në kallëzimin penal drejtuar SPAK.
Në pritën e Fatmir Haklajt u vra dhe Sami Ali Kërrnaja
Në këtë pritë të datës 04.11.1999 pranë shtëpisë së Jaho Mulosmanit mbeti i vrarë jo vetëm Fatmir Haklaj, por edhe Sami Ali Kërrnaja, si dhe mbeti i plagosur Jaho Mulosmani. Autorë të këtij krimi ishin anëtarët e Bandës së Armatosur Kriminale Haki Adem Hoxha, Medi Baram Hoxha, Përparim Adem Hyka dhe një person tjetër anëtar i bandës. Të lartpërmendurit vrasës, para se të kryenin vrasjet, kanë qenë të strehuar në shtëpinë e Besnik Sadik Vidricës. Motrën e Besnik Vidricës e ka për grua njëri prej anëtarëve të Bandës, vrasësi Medi Baram Hoxha. Kjo shtëpi ju dha edhe ushqimin përkatës, të cilin e gjetën në vendin e ngjarjes grupi hetimor kur këqyri vendin e ngjarjes. Besnik Vidrica menjëherë pas ngjarjes ka shkuar në shtëpinë e Jaho Mulosmanit dhe ishte shumë i interesuar të dinte nëse Fatmir Haklaj kishte vdekur ose jo. Dëshmitari Shpend Avni Mulosmani, duke parë interesimin negativ të Besnik Vidricës i ka bërtitur atij duke i thënë “po ka vdekur”!
Gjendet një kapele dhe fije flokësh
Besnik Vidrica ka ikur menjëherë pas marrjes së lajmit se Fatmir Haklaj kishte vdekur dhe ka vënë në dijeni Bandën e Armatosur e cila ishte në pritje të rezultatit të aktit kriminal që kishin kryer. Në vendin e ngjarjes ku u vra Fatmir Haklaj dhe Sami Kërrnaja, babai i viktimës, kallëzues i këtyre krimeve Muharrem Haklaj ka gjetur një kapele dhe disa fije flokësh. Ai nuk mori asnjë garanci nga Prokuroria për t’i çuar në Itali për t’u bërë ekspertizën kësaj kapele dhe fijeve të flokëve të gjetura në vendin e ngjarjes. Pra, ka munguar interesimi i policisë dhe i prokurorisë për të zhvilluar hetime objektive dhe të gjithanshme. Fatmir Haklaj është vrarë në orën 19.00 të datës 04.11.1999. Në momentin që ka dëgjuar krismat, kallëzuesja Ajshe Haklaj, motra e Fatmirit, e cila ishte e martuar aty në Bujan, është nisur veti i tretë në shtëpinë e Jaho Mulosmanit, sepse ishte në dijeni që Fatmir Haklaj do të ishte mysafir atë natë në shtëpinë e Jaho Mulosmanit. Duke ecur rrugës, në fshatin Vatoc, ka parë 5 persona që po kapërcenin një gardh. Ajo, së bashku me dy personat e tjerë kanë qenë shumë pranë këtij gardhi dhe kanë ndalur të heshtur për të mos u diktuar. Dëshmitarja okulare Ajshe Haklaj si dhe dy personat e tjerë që ishin së bashku me të kanë njohur dhe identifikuar Haki Adem Hoxhën, Medi Baram Hoxhën, Xhafer Baram Hoxhën, Përparim Adem Hykën dhe një person tjetër të gjatë në trup.