“Kengo Kuma and Associates” fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun e Butrintit

0
102

Studioja e arkitektit japonez Kengo Kuma u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit. Qendra e re, rreth 1000 metra katrorë, duhet të presë dhe orientojë vizitorët, të informojë, të përcjellë vlerat e jashtëzakonshme universale të Butrintit si pjesë e trashëgimisë botërore dhe të jetë porta e parkut të madh kombëtar. Qendra do të jetë rreth 1.5 kilometra nga hyrja për në qytetin antik, në një vendndodhje me pamje panoramike nga Kanali i Vivarit. Sipas Ministres së Kulturës, Elva Margariti kjo qendër ndër të tjera do të jetë dhe një mundësi zhvillimi ekonomik për komunitetin atje. “Kjo qendër duhet të jetë ftesa për në park. Jo thjesht ku vizitori, përpara se të nisë një rrugëtim të gjejë shërbimet bazë, të munguara deri më sot, por që të ofrojë informacion, të orientojë vizitorin dhe t’i japë mundësinë të marrë një kujtim, një suvenir “Made in Butrint” apo një libër studimor dedikuar këtij siti. Por nga ana tjetër kjo qendër do të jetë një mundësi zhvillimi ekonomik për komunitetin lokal”, shprehet Margariti. Në fazën e parë u paraqitën 41 propozime nga 17 vende të botës, për të ardhur në listën e shkurtër prej 4 finalistësh. Katër finalistët e konkursit ndërkombëtar ishin: Kengo Kuma & Associates (Japoni); Philippe PROST / AAPP (Francë); Lahdelma & Mahlamäki Architects (Finlandë) dhe William Matthews Associates (UK). Ekipet e tyre përbëhen nga arkitektë, arkitektë peizazhi, kryeplanifikues, arkeologë, projektues ekspozitash dhe interpretimi, etj.

Juria dhe përzgjedhja e studios fituese

Juria sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, përzgjodhi “Kengo Kuma & Associates” për projektimin e një qendre ftuese, një portë hyrëse drejt pasurisë UNESCO, miqësore me natyrën dhe një hapësirë publike, në shërbim të komunitetit dhe turizmit. Juria përbëhej nga Elva Margariti, kryetare e bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, ministre e Kulturës;   Martin Mata, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim;  Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Roisin Heneghan, bashkëthemeluese dhe drejtuese e “Architects Heneghan Peng”; fituese e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Causeway në Irlandë, fituese e çmimit Aga Khan në arkitekturë në vitin 2019; Mónica Luengo Añón, themeluese e Arkitekturë, Territor dhe Peizazh, ATP, eksperte e ICOMOS, arkitekte, landscapes designer. Në juri edhe Suzanne Ogge, drejtuese e projekteve dhe trashëgimisë ndërkombëtare, studio Milou, dhe konsulente e UNESCO-s; eksperte për trashëgiminë jomateriale, antropologjinë kulturore dhe muzealizimin; Thomas Vonier, ish-kryetar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, një nga shoqatat partnere e projekteve të përbashkëta zhvillimore UNESCO; partner i Chesapeake Strategies; Matilda Pando, kryetare e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë dhe themeluese e MATT Architects. Sipas ministrisë, Malcolm Reading është kompania e kontraktuar për organizimin e këtij konkursi, që ka organizuar mbi 200 konkurse projektimi në të gjitha kontinentet, ku veçojmë Galerinë Kombëtare në Londër, Muzeun e Artit në Dallas, New College në Oxford dhe Royal College of Art në Londër, projekte këto me një vlerë ndërtimi prej 20 miliardë dollarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here