Kupa e Shqipërisë po shkon drejt fundit për këtë edicion. Dje u zhvilluan gjysmëfinalet e para të saj, ku ra në sy fitorja bindëse e Tiranës ndaj Teutës, një fitore që e fut ekipin bardheblu në rrugën e duhur për të bërë “bis” këtë vit, si në kampionat ashtu dhe në Kupë, ndërkohë që Vllaznia dhe Egnatia e mbyllën në barazim duelin mes tyre, duke e lënë fatin e kualifikikmit për në ndeshjen e kthimit. Duhet thënë se këtë sezon mungojnë ekipet e tjera të mëdha në këtë fazë, pasi u eliminuan gjatë rrugës. Për herë të parë në Kupë mund të bëjë surprizën edhe një ekip në dukje i vogël, si Egnatia, falë investimit që ka bërë këto dy vitet e fundit, ndërsa Vllaznia rrezikon të mbetet pa gjë fare.
Ndeshjet
Kupa është një aktivitet që mundëson jo vetëm mbylljen e sezonit me trofe, por edhe i jep ekipit fitues të saj shansin të luajë në Conference League në sezonin në vijim, diçka që rrit kuotat e klubit dhe u jep edhe një shans financiar ekipeve pjesëmarrëse. Ndaj edhe Kupa është vlerësuar shumë nga klubet tona, pavarësisht dobësisë që paraqesin ato për ta përballuar ngfarkesën në dy fronte. Kështu, u zhvilluan ditën e djeshme dy takimet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Tirana fitoi 3-0 përballë Teutës, ndërkohë që Vllaznia-Egnatia përfundoi në barazim 1-1. Bardheblutë e Orges Shehit vijojnë formën e mirë edhe në Kupë. Tirana triumfoi 3-0 falë golave të Florent Hasanit në pjesën e parë dhe Bruno Lulajt e Regi Lushkjes në të dytën. Sukses i rëndësishëm për kryeqytetasit, të cilët kanë hedhur një hap të sigurt drejt kalimit në finalen e madhe. Nuk ka festë në “Loro Boriçi”. Skuadra e Edlir Tetovës kaloi në avantazh falë golit të Rafael Duamena në minutën e 69-të. Sulmuesi ganez finalizoi një zbritje të shpejtë, dribloi portierin dhe dërgoi topin në rrjetë. Shkodranët reaguan dhe ia dolën të realizonin golin e barazimit me Ardit Hoxhajn në minutat shtesë.
Martini: Ky rezultat i frikshëm, por do përpiqemi ta përmbysim
Trajneri i Teutës, Edi Martini, u shpreh pas takimit të djeshëm me Tiranën se rezultati nuk flet aspak mirë për Teutën, por ai garantoi se në duelin e kthimit skuadra e tij do të bëjë çmos për të përmbysur shifrat. Rezultati 3-0 në fakt nuk jep shumë shpresë për “djemtë e detit”, por për Martinin në futboll gjithçka mund të ndodhë dhe Teuta do të provojë mundësitë e saj në fushë. “Ekipi tregoi shenja lodhje. Tirana fitoi në dyluftime. Ishin më të qartë se ne. Ne nuk dolëm në asnjë moment në lojën tonë. ndoshta dhe mungesa e Kotobellit ndikoi. Kjo ndeshje iku. Duhet të bëjmë çmos për ndeshjet e tjera. Nuk është koha për të kritikuar, por për të ecur përpara se kampionati bëhet më i frikshëm. Nuk ishim të kujdesshëm në linjë. U ndje mungesa e Kotobellit. Ka një problem tjetër. Komplet ekipi në aspektin mbrojtës linte për të dëshiruar. Ne kemi ndeshjen me Kukësin që duhet ta mendojmë. Normal që kur të vijë ndeshja me Tiranën do të kemi një tjetër muzikë. Ne nuk kemi çfarë humbasim ndeshjen e dytë. Rezultati 3-0 është shumë i keq, por kjo nuk do të thotë që ne jemi të dorëzuar”, u shpreh Martini për “Oversport”.