Kampionati shqiptar po shkon drejt fundit. Në fundjavë do të luhen ndeshjet e xhiros së 31-të, nga 36 xhiro gjithsej që ka Kategoria Superiore. Natyrisht, statistikat e çdo niveli e nxjerrin kampionatin tonë të dobët, në të dy fazat e lojës, por sidomos në sulm, ku kemi shumë pak lojtarë që bëjnë diferencën. Me përjashtim të dy skuadrave të para të renditjes, Tiranës dhe Partizanit, që kanë shënuar respektivisht 46 dhe 42 gola, ekipet e tjera janë shumë nën mesataren europiane. Madje, sa i përket koeficientit mesatar të realizimit gola për skuadër, kampionati shqiptar është në limitet më të ulëta, me 32.5 gola për skuadër. Me sa kuptohet nga ecuria e garës, ky koeficient mund t’i afrohet 40 gola për ekip në fund të sezonit, ndërkohë që këtë koeficient vendet e zhvilluara në kampionatet e tyre, në këtë moment që flasim e kanë mbi 40 gola për ekip si mesatare, madje edhe vendet e rajonit e kanë shumë më lart se ne. Kështu, Kosova ka një statistikë relativisht të mirë për nivelin e kampionatit të saj, që është 38 gola për skuadër deri tani. Duke lënë mënjanë Premier League, si kampionatin më të fortë në botë, e cila ka një koeficient realizimi mesatar 44 gola për skuadër, edhe vendet që konsiderohen mesatare si Zvicra, e kanë këtë kuotë realizimi mjaft të lartë. Në këtë moment që flasim, Zvicra, e cila e ka formulën e garës njëlloj si Superiorja jonë, me 10 ekipe e katër faza, ka koeficient 42.3 gola për skuadër, që do të thotë se kampionati zviceran ka natyrë ofensive, kurse kampionati shqiptar ka natyrë defensive. Thënë ndryshe, skuadrat e kampionatit shqiptar e bazojnë objektivin e tyre kryesisht tek mbrojtja. Nga analiza e bërë del se në veçanti ky kampionat, ka dobësi në aspektin sulmues.
Problemi sulmues i kampionatit shqiptar
Skuadrat nuk kanë lojtarë efikasë që bëjnë diferencë në repartin ofensiv dhe kjo është e kuptueshme, pasi akademitë tona nuk prodhojnë lojtarë kalibri në këtë repart. Edhe lojtarët e huaj që kanë ardhur në kampionatin shqiptar nuk kanë mundur të bëjnë diferencë. Ekipet që pretendojnë të fitojnë titullin në kampionatet europiane kanë shënuar mbi 70 gola në këtë fazë të lojës, që do të thotë se kanë koefiçient realizimi prej më shumë se 2 gola për ndeshje. Zakonisht 2.5 gola për ndeshje. Tirana, kryesuesja e kampionatit tonë, ka shënuar në 30 javët e para të garës 46 gola, pra një koeficient 1.5 gola për ndeshje, kurse Partizani ka shënuar 1.3 gola për ndeshje. Statistika të tilla dëshmojnë se kampionati shqiptar s’ka goleadorë, por as filozofi sulmi. Klubet nxitojnë të përmbushin objektivat e tyre në varësi të “miellit” që kanë në dispozicion, por “mielli” që disponojnë nuk mund të bëjë “bukë” të cilësisë së lartë. Me kuotë mesatare realizimi prej 32.5 gola për skuadër, dëshmohet se koefiçienti i sulmit për ekipet e Superiores tonë është vetëm 1.1 gola për ndeshje nga çdo ekip (ose 2.2 gola për ndeshje), diçka që as mendohet në kampionatet europiane. Ndaj dhe renditja e kampionatit shqiptar është nga vendet e fundit në Europë (vendi i 49-të nga 55 vende anëtare të UEFA-s).