Nuk janë të paktë futbollistët shqiptarë që po spikasin në gjirin e shumë akademive të klubeve të njohur europiane, madje një pjesë e mirë po dalin nga klubet angleze, diçka që shton më tej numrin e shqiptarëve në kampionatet elitare në Europë. Në Angli, në kuadër të moshës U-21, spikat edhe Renaldo Torraj, i cili i dhuron fitoren Bërnlit U-21 në sfidën me Kolçester Junajtid, që përfundoi me rezultatin 2-1 në Ligën e Zhvillimit Profesional. Futbollisti i përfaqësueses U-21 të Shqipërisë ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje të lirë, e cila përfundoi në cepin e portës, ku nuk mund ta arrinte portieri kundërshtar. Torraj u aktivizua në fillim të pjesës së dytë (57’). Rezultati ishte mbërthyer prej shumë minutash në shifrat 1-1 dhe kur të gjithë mendonin se sfida do të mbyllej pa fitues, erdhi magjia e 18-vjeçarit kuqezi. Kujtojmë që Torraj është lindur në Londër dhe është formuar si futbollist në akademinë e Totenhemit. Në fund të vitit të kaluar iu bashkua Bërnlit, për t’u aktivizuar te skuadra e 21-vjeçarëve, edhe pse është vetëm 18 vjeç. Torraj, që konsiderohet një lojtar mjaft premtues edhe të Shpresat e Shqipërisë, është aktivizuar në 4 ndeshje zyrtare me U-21. Duhet thënë se talenti më i rëndësishëm shqiptar deri në këtë moment që ka dalë nga klubet angleze është Armando Broja, futbollist i dalë nga akademia e Çelsit në Londër dhe që ka mundësuar një ngjitje të shpejtë të hapave, nisur dhe nga fakti s klubi e huazoi atë fillimisht tek Viteshe në Holandë e më pas tek Sauthemptoni në Premier League, dy klube ku Broja bëri vërtet futboll cilësor dhe mori notë të lartë. Kthimi tek Çelsi këtë sezon nuk ishte aq i mirë, jo vetëm nga rivaliteti në nisje të edicionit, por edhe se Broja pësoi muaj më parë një dëmtim të rëndë, të cilin ende nuk e ka kaluar plotësisht dhe do të duhet edhe pak kohë të rikthehet në fushë.