Autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj 1 javë më parë në Shëngjin është nga zona e Shkodrës dhe ka dyshime të forta se ka patur akses në kamerat e sigurisë të kompleksit “Coral” në pronësi të viktimës ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë.
Në këtë konkluzion ka dalë grupi hetimor pas shumë veprimeve hetimore të kryera dhe analizimit të dhjetëra orëve pamje filmike të kamerave të sigurisë në zona të ndryshme. Hetuesit kanë dyshime se për realizimin e këtij atentati kanë bashkëpunuar disa persona të cilët i kanë ndjekur lëvizjet e objektivit të tyre brenda kompleksit “CORAL”, përmes kamerave të sigurisë.
Për të vërtetuar diçka të tillë po ekzaminohet serveri si dhe qelizat telefonik të personave për të cilët ka dyshime të kenë lidhje me ngjarjen. Nga veprimet e kryera dhe marrja e dëshmive të personave të cilët kanë qenë brenda lokalit në momentin e ngjarjes është arritur të ndërtohet një profil i autorit, i cilit shfaqet duke lëvizur me motor dhe i kamufluar.
Ai mendohet të jetë nga zona e Shkodrës dhe është i moshës nga 30 deri në 40-vjeç, ndërsa ka dyshime të forta që të jetë vrasës më pagesë që ka kryer edhe ekzekutime të tjera të njerëzve të njohur të botës së krimit në zonën e veriut por edhe më gjerë.













































