Pas shkëputjes së marrëdhënieve më 7 Shtator të 2022-it, Irani po tenton të ketë sërish prezencë në Shqipëri. Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian thotë se një seksion i interesit iranian do të hapet në Shqipëri nëpërmjet Turqisë në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Tiranën. Hossein Amir-Abdollahian zbuloi të shtunën se Ministria e Jashtme iraniane ka rënë dakord të hapë një seksion në Shqipëri për interesat iraniane nëpërmjet Turqisë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, në një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu, Amir-Abdollahian falënderoi gjithashtu qeverinë turke për mbështetjen e saj në këtë drejtim. Por ky vendimi i palës turke, duke mbështetur shtetin terrorist të Iraninit, e madje lejuar këtë të fundit të ketë një sy e vesh në Tiranë, ndonëse marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë ndërprerë, është një kambanë alarmi. Megjithatë, përtej garancive që kanë dhënë Tehrani dhe Ankaraja zyrtare, vendimi i takon qeverisë shqiptare dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, nëse do të lejojë këtë marrëzi. Pra, kryeministri Rama është para provës së “ferrit dhe zjarrit”, pasi po monitorohet fuqishëm nga NATO, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të thotë se nëse ai pranon, këtë vendim të presidentit turk, Erdogan, i cili ka dhënë garanci se Turqia do të ndihmojë Iranin të kenë kontakte në Tiranë, duke hap zyrë të veçantë për Teheranin në ambasadën turke në vendin tonë, atëherë ai fut vendin në një spirale të rrezikshme.
Çfarë ka ndodhur?
Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet e saj diplomatike me Iranin në shtatorin e kaluar, duke akuzuar Republikën Islamike për sulme kibernetike kundër infrastrukturës së vendit. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të pritjes së vendit evropian të organizatës së grupit opozitar Mojahedin-e Khalq (MEK). Tirana akuzoi Teheranin për kryerjen e një sulmi kibernetik kundër institucioneve shqiptare për të “paralizuar shërbimet publike dhe hakuar të dhënat dhe komunikimet elektronike të sistemeve qeveritare”. “Kjo përgjigje ekstreme është plotësisht në proporcion me gravitetin dhe rrezikun e sulmit kibernetik që kërcënoi të paralizojë shërbimet publike, të fshijë sistemet dixhitale dhe të hakojë të dhënat shtetërore, të vjedhë komunikimin elektronik të qeverisë në intranet dhe të ngjall kaos dhe pasiguri në vend.” Tha kryeministri i Edi Rama mëngjesin e 7 shtatorit kur njoftoi shkëputjen e marrëdhënieve me Teheranin zyrtar. Sulmi ndodhi rreth kohës së një konference të MEK që ishte parashikuar të mbahej në Durrës. Në fillim të gushtit, firma e sigurisë kibernetike Mandiant tha e sulmuesit po vepronin në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit për të prishur konferencën e MEK. Konferenca e 23-24 korrikut nga grupi disident, e titulluar Samiti Botëror i Iranit të Lirë, u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Disa ligjvënës amerikanë ishin gjithashtu midis të ftuarve. Në ambasadën e Iranit në Tiranë ishin 72 diplomatë. Në periudhën e demokracisë, ky është rasti i parë që Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër, ndërkohë që edhe në 2018, Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Ky vendim drastik erdhi pas sulmit kibernetik që iu bë Shqipërisë përgjatë muajit korrik 2022 ku të gjitha shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht. Shërbimet u kthyen në funksion të plotë pas katër javësh.










































