Kategoria e Parë ka dhënë dje verdiktet e para për sezonin që po shkon drejt fundit. Kështu, Dinamo dhe Skënderbeu edhe matematikisht janë ngjitur në elitë, ndërkohë që Flamurtari në vend të tretë do të ketë një shans në “play-off”. Duhet theksuar se dinamovitët e humbën duelin e tyre, por humbja e vlonjatëve ndaj Tomorit të Beratit vetëm sa ua lehtësoi realizimin e objektivit. Mbetet të luhen edhe dy xhiro deri në fund, por me rezultatet e djeshme vetëm “play-off”-i mbetet të mësohet e të shihet si verdikt, të tjerat morën zgjidhje dhe Skënderbeu dhe “nëndetësja” dinamovitë do të luajnë sezonin tjetër në elitë.
Ndeshjet dhe rezultatet
Skënderbeu i Korçës mposhti në transfertën e Cërrikut, Turbinën, me shifrat 0-4. Një sukses që rikthen pas vetëm një sezoni në elitë skuadrën korçare duke qenë se kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, bardhekuqtë janë në vend të parë me 48 pikë, katër më shumë se Dinamo e vendit të dytë dhe tetë më shumë se Flamurtari i vendit të tretë. Golat për Skënderbeun u shënuan nga Liço në pjesën e parë dhe më pas tre të tjerë në fraksionin e dytë. Dy prej të cilëve mbajnë firmën e sulmuesit 19-vjeçar Abubakari ndërsa një tjetër u shënua nga Abdul. Tashmë, në dy javët e mbetura, korçarët do të mundohen të blindojnë vendin e parë të renditjes. Ndërkohë, Dinamo u mposht në Lushnjë nga vendasit me shifrat 2-1, por sigurojnë gjithashtu rikthimin në Superiore. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Cankës ndërsa në fraksionin e dytë, Prodani barazoi rezultatin. Kur u duk se sfida do të mbyllej në barazim, Canka gjeti edhe njëherë tjetër rrugën e rrjetës duke i dhuruar fitoren lagunarëve. Pas këtij rezultati, Dinamo mbeti në vend të dytë në kuotën e 44 pikëve, katër më shumë se Flamurtari i vendit të tretë. Por, me tre pikët e garantuara në javën pasardhëse duke qenë se kalendari i rezervon përballjen me Tërbunin e skualifikuar nga gara, kryeqytetasit festojnë rikthimin në Superiore. Sakaq, Lushnja ngjitet në kuotën e 31 pikëve në vend të nëntë. Nga ana tjetër, Flamurtari u mposht në shtëpi përballë Tomorit me shifrat 0-1. Goli vendimtar u shënua nga Hida teksa për kuqezinjtë është një humbje që djeg teksa tashmë një vend për Superioren do ta kërkojnë vetëm nëpërmjet “Play-Off”, zonën e të cilit e kanë siguruar matematikisht. Në ndeshjet e tjera, Korabi barazoi 0-0 me Burrelin, Oriku fitoi 1-0 në transfertë ndaj Besës ndërsa Apolonia mposhti 3-1 Besëlidhjen.
Dilemat
Në Kategorinë e Parë janë disa skuadra që kanë pasur ecuri të mirë, por mbetën në mesin e artë, të tillë si Korabi, besa e ndonjë tjetër. Problemi i tyre është se nuk patën forcë të mjaftueshme për t’u imponuar në garë dhe për të bërë diferencën në përballjet e tyre me skuadrat e mëdha si Dinamo e Skënderbeu, që e shpalosën shpejt objektivin e tyre. Kupt0ohet, i zhgënjyer në këtë histori është vetëm Flamurtari, që kishte bërë investime këtë sezon, por s’ia doli. Gjithsesi, ka ende një shans nëpërmjet “play-off’-it, por varet se cila do të jetë skuadra nga Superiorja që do i bjerë përballë në fund të edicionit.










































