Në Itali dhe në Spanjë kampionatet po shkojnë drejt fundit dhe duket se fituesi është përcaktuar tashmë, edhe pse matematikisht gara mbetet e hapur. Kështu, dje në La Liga spanjolle kryedueli i kampionatit, Atletiko-Barcelona u mbyll me fitoren e katalanasve dhe kjo fitore bëri që Barça të vendosë njërën dorë tek titulli. Ka ende garë, edhe plot 8 xhiro, por Barça e ka tani në dorën e vet kampionatin. Sa i takon përplasjes, duhet thënë që pas dy barazimeve pa gola në elitën e futbollit spanjoll, Barcelona është kthyer te fitorja që vlerësohet të jetë shumë e rëndësishme në luftën për titull kampioni. Barça të dielën në kuadër të xhiros së 30-të të La Ligës spanjolle fitoi në derbin përballë skuadrës së Atletiko Madridit me rezultatin 1:0. Golin e fitores e shënoi Ferran Torres në minutën e 44-t, me asistim të Rafinjës. Për skuadrën e trajnerit Diego Simeone, Atletiko Madridin, ishte disfata e parë pas serisë së gjashtë fitoreve rresht në ligë. Barcelona ka 76 pikë në krye të tabelës, 11-të më shumë se Real Madridi në vendin e dytë. Atletiko Madridi pavarësisht disfatës, mbetet në pozitën e tretë me 60 pikë. Deri në fund të kampionatit në La Liga kanë mbetur edhe tetë xhiro për t’u zhvilluar. Ndërkohë që në Spanjë Barcvelona po udhëton drejt titullit kampion, në Angli ka dilema për skuadrën që do ta bëjë këtë. Arsenali dhe Mançester Siti po shkojnë majë më majë këtë sezon dhe gara mbetet e hapur. Në kampionatin anglez këto dy skuadra duket e do të rivalizojnë deri në fund për titullin. Ndërkohë, dje pati surpriza në xhiron e 32-të të kampionatit anglez, pasi Totenhemi pëson një disfatë shumë të rëndë. Kurse në duelet e tjera rezultatet ishin pak a shumë të pritshme. Kështu, pas humbjes ndaj Aston Vilas, skuadra e drejtuar nga Edie Houe e turpëroi dje Totenhem Hotspurin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të. Ndeshja e zhvilluar në “St. James’ Park” përfundoi me rezultatin 6:1. Vendasit brenda 21 minutave lojë ia dolën të shënonin pesë gola, duke e mbyllur kështu shumë herët çështjen e fituesit. Xhekob Mërfi (2’, 9’), Joelinton (6’), Aleksander Isak (19’, 21’) dhe Kallum Uilson (67’) shënuan për fitoren e Njukasëllit. Golin e vetëm dhe të nderit për “Spurs” e shënoi nga penalltia Herri Kejn (49’). Njukasëll pas kësaj fitoreje ka 59 pikë dhe rikthehet në pozitën e tretë në tabelë, por me pikë të njëjta me Mançester Junajtid, që ndodhet një pozitë më poshtë dhe ka një ndeshje më pak. Totenhemi është i pesti me 53 pikë. Po në kampionatin anglez, Uest Hemi fitoi thellë 4-0 në transfertë përballë Bournemuthit.










































