Pas një tendence të shkurtër në ngritje që pasoi vendimin e Bankës së Shqipërisë për rritjen e normë bazë të interesit, bonot e thesarit 12 mujore kanë shënuar rënie në ankandin e kësaj jave. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, interesi mesatar i bonove 12 mujore ra në 3.82% këtë javë, nga 3.91% në dy ankandet e mëparshëm të zhvilluar në fillim të prillit dhe në mes të majit. Bie në sy se pjesëmarrja në ankand ka qenë e lartë. Shuma e shpallur nga Ministria ka qenë 9 miliardë lekë, afërisht 90 milionë dollarë, ndërkohë që shuma totale e ofruar nga investitorët ka qenë rreth 120 milionë dollarë. Shumë më e lartë ka qenë prania e investitorëve në ankandin e mëparshëm, ku shuma e kërkuan nga Ministria e Financave ishte rreth 98 milionë dollarë, ndërsa kërkesa për të blerë rreth 140 milionë dollarë. Ndërkohë që e kundërta ndodhi me bonot 6 mujore në ankandin e një jave më parë. Yieldi i tyre mesatar u ngjit në 3.29% nga 3.26% në ankandin e fundit të muajit shkurt. Gjithësesi, interesat e këtij instrumenti janë ende shumë më të ulëta nga ato të janarit, apo fundit të vitit të shkuar, kur u ngritën në thuajse 5%. Rritja e lehtë erdhi pasi banka Qendrore vendosi të ndërhynte përsëri në normën bazë të interesit duke e çuar atë në nivelin 3%, gjë që nisi të reflektohej edhe te bonot e thesarit. “Kursi i këmbimit valutor”. Nga ana tjetër, Dollari amerikan pas një rikuperimi të lehtë një ditë më parë ka pësuar sërish zbritje të vlerës mëngjesin e djeshëm, teksa është blerë dje me 102.1 lekë dhe është shitur me 103 lekë në raport me dje. Monedha europiane gjithashtu ka regjistruar rënie të vlerës këtë të mërkurë pasi krahasuar me ditën e djeshme është blerë sot me 112.1 lekë dhe është shitur me 112.8 lekë sipas kursit të këmbimit lokal. Franga zvicerane edhe ajo gjithashtu ka shënuar rënie të ndjeshme të vlerës mëngjesin e sotëm pasi në raport me një ditë më parë blihet sot me 113.3 lekë dhe shitet me 114.2 lekë. Referuar tregut të brendshëm valutor Paundi britanik është valuta e vetme që ka pasur një rritje të kuotës duke e nisur ditën e sotme pozitivisht teksa është blerë sot me 126.6 lekë dhe është shitur me 127.7 lekë.