Arbitrat po shkatërrojnë kampionatin, Partizani i penalizuar, FSHF hesht

0
116

Partizanin po e shkatërrojnë arbitrat. Kjo nuk është thjesht një akuzë e dalë nga gjiri i klubit të kuq pas humbjes së shumëpërfolur ndaj Laçit, por edhe një pikëpyetje e madhe e ngritur në ambientin e futbollit pas një mori skandalesh që kanë mbërthyer vetë Federatën Shqiptare të Futbollit. Skandali lidhet me pranimin e faktit se të paktën një ndeshje e kampionatit është trukuar, me arsyetimin që gjyqtarët të mos dhunoheshin. Për këtë u akuzua klubi i Kastriotit e madje pati dhe një kallëzim të FSHF-së në polici, duke bërë që ndeshja Kastrioti-Bylis të shtyhet. Ndeshja që ishte trukuar ishte Kastrioti-Laçi, ku kurbinasve u ishte hequr një gol i rregullt për të mos e lënë situatën të agravohej. FSHF e pranon këtë gjë hapur, ndërkohë që gjyqtarët dhe FSHF, në vend që të ndëshkojnë Kastriotin për veprimet në fushë, i janë “turrur” me sa duket Partizanit, të cilin e kanë penalizuar jo pak në rrugëtimin e tij këtë sezon me kartonë, mosdhënie penalltish të drejta, goditje me gola që ishin në pozicion jashtë loje etj. Dhe këto janë pranuar si “gabime njerëzore” nga ana e gjyqtarëve. Por sikurse çdo gjë e ka një kufi, më në fund reagoi në emisionin “Skaner” edhe presidenti i Partizanit, Gazment Demi, që për herë të parë shigjetoi gjyqtarët të përfshirë në skandalin e penalizimit të Partizanit. Sipas tij, për të kompensuar Laçin që ishte penalizuar pa të drejtë javë më parë, arbitrat këtë herë ndëshkuan Partizanin. Siç dihet, Laçi fitoi me përmbysje ndaj “demave të kuq”, me rezultatin 3-2, në një ndeshje ku gjykimi linte për të dëshiruar dhe ishte dukshëm tendencioz ndaj të kuqve.

Skandali/ Kastrioti rreh gjyqtarët, kurse gjyqtarët rrahin Partizanin

Presidenti i Partizanit gjatë lidhjes me emisionin pranoi se në Laç ishte si të luaje në Afganistan, ndërsa akuzoi direkt arbitrat për marrje ane. Natyrisht, një gol i parregullt ndikon në rezultat dhe Partizani humbi, kurse Laçi fitoi. Dikush ishte i interesuar që Partizani të humbiste e Laçi të fitonte, ndoshta për ta kompensuar Laçin për veprimin e padrejtë që u bëri arbitri javë më parë, duke u hequr golin e fitores ndaj krutanëve. “Ndoshta Laçit, ngaqë iu bë një hile me Krujën, donin ta mbulonin sot. Terreni ishte si në Afganistan. Një gol ndikon gjithçka. Me qenë se Pregja (analisti i moviolës) e tha që goli ishte pozicion jashtë loje, unë nuk kam çfarë them. Ky Xhaja (arbitri) para 1 jave ishte në Durrës, e nxori me karton të verdhë lojtarin tonë që mos luante në ndeshjen pasardhëse. Unë kam të drejtë të dyshoj. Sot më duket një vjedhje ndaj Partizanit. Nga moviola e Pregjës, i bie që neve na kanë vjedhur sot si Partizan. Kuptova që Partizanit sot i kanë rënë në qafë, nuk kam çfarë flas më shumë. Në Laç ishte si në Afganistan. Shpresojmë t’ia kenë larë Laçit borxhin që i kishin dhe ta kenë goditur Partizanin. Do më vinte shumë keq po të qe e stisur kjo punë. Një diçka nuk shkon”, u shpreh Demi. Është fare e qartë tashmë se me ardhjen e fundit të garës lufta nuk po zhvillohet vetëm në fushën e gjelbërt, por edhe nën tavolina dhe Partizani e ka kuptuar se “skema” po punon kundër tij, ndaj reagimi i ashpër i Demit ishte në këtë linjë. Në të gjithë këtë histori, institucioni që duhet të vendosë drejtësi dhe të sigurojë garë të ndershme, FSHF, heshti edhe këtë herë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here