Një tjetër alarm për ekonominë shqiptare janë dhe borxhet e prapambetura që qeveria dhe bashkitë kanë ndaj qytetarëve. Për vitin 2022, rezulton se stoku i krijuar nga borxhet e pashlyera nga pushteti qendror dhe lokal arrin në 12.2 miliardë lekë, ose 108 milionë euro. Edhe pse detyrimet janë ulur me 8.8 milionë euro, ose 1 miliard lekë, kjo shifër nuk krijon asnjë lloj lehtësimi për buxhetin e shtetit. Nga ky borxh, 6.2 miliardë lekë (55 milionë euro) i rëndojnë qeverisë dhe 5.9 miliardë lekë (53 milionë euro) i takojnë pushtetit lokal. Për sa i përket kategorive që kërkojnë të dëmshpërblehen, 4.78 miliardë lekë (42 milionë euro) u takojnë investimeve të kompanive, të cilat nuk janë paguar nga shteti. Kjo përbën pjesën më të madhet borxhit. 3.76 miliardë lekë (33 milionë euro) janë “fatura” të papaguara për qytetarët që janë pushuar, shkarkuar nga puna në administratën publike. Ata kanë hapur gjyqe ndaj organeve shtetërore, të cilat i kanë fituar. 3.66 miliardë lekë (32.5 milionë euro) u takojnë shërbimeve, mirëmbajtjeve, sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore, etj. Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore që bashkitë shfrytëzojnë fondin e trashëguar nga një vit më parë për të shlyer borxhet e tyre. Kjo situatë prej kohësh ka ngritur shqetësimin se falimentimit të bashkive dhe mbylljes së tyre. Në gusht të vitit të kaluar, qeveria ka hapur tenderin për administratorë të bashkive Vorë dhe Kavajë, të cilat rezultojnë me problemet më të mëdha financiare. Një tjetër goditje të madhe pushtetit lokal në aspektin financiar i ka dhënë dhe Reforma Territoriale e 2015, që ka bërë që financimet e bashkive të kalojnë nga qeveria. Për rrjedhojë, shumë fshatra po shpopullohen dhe po rritet përqëndrimi i popullsisë në kryeqytet.