Trafiku i drogës, kreu i SPAK “zbarkon” në Argjentinë, takim me prokurorët e Europës dhe Amerikës për të kapur bosët e kokainës dhe krimit të organizuar

0
108

Drejtuesi i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani dhe shefi i sektorit të bashkëpunimit ndërkombëtar në SPAK morën pjesë në takimin e organizuar në Buenos Aires në Argjentinë në datat 12 – 13 Prill 2023 nga Rrjeti kundër Drogës i Prokurorëve të Amerikës së Jugut, EUROJUST dhe EUROPOL, në kuadër të platformës EMPACT të Europol, prioriteti kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare me risk të lartë. Përmes një njoftimi të shpërndarë dje për mediat, Prokuroria Speciale theksoi s qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve të Amerikës së Jugut dhe Europës, nëpërmjet vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta, krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT), përdorimi i metodave speciale të hetimit, me synim goditjen e organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare me risk të lartë të krimit të organizuar qe merren me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në takimin koordinativ morën pjesë përfaqësues të prokurorive homologe nga vendet e BE; Itali, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Gjermani dhe Portugali, ashtu si dhe nga agjencitë e BE-së, EUROJUST dhe EUROPOL. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga prokuroritë homologe nga Amerika e Jugut, Argjentinë, Brazil, Ekuador, Kolumbi, Panama, Paraguaj dhe Kosta Rika. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të SPAK në këtë takim u mundësua nga projekti “Lufta kundër krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor”-IPA 2019. Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në këto kushte pjesëmarrja në këtë takim ishte e një rëndësie të veçantë dhe shumë produktive.

Mafia shqiptarë në Amerikën e Jugut, Duman flet për mediat italiane

Më herët gjatë kësaj jave kreu i ri i SPAK-ut, Altin Dumani ka dhënë një intervistë për median italiane “La Repubblica”, teksa mes të tjerash ka komentuar edhe prezencën e kriminelëve në Amerikën e Jugut. “Dekadën e fundit ka pasur një rritje të dërgesave me shumicë të kokainës nga Amerika e Jugut të kontrolluara nga grupe shqiptare të destinuara kryesisht për vendet e BE-së. Ky zhvillim është rezultat i lidhjeve të forta që ata kanë arritur të krijojnë me kartelet e drogës nga Ekuadori, Kolumbia, Peruja, Brazili dhe Meksika”, u shpreh ai. Po ashtu, ai u pyet edhe për ekzistencën e një “mafieje shqiptare”. “Termi “mafia shqiptare” është më tepër një term i përdorur nga media dhe qarqet akademike, pasi nuk është një term ligjor në legjislacionin penal shqiptar. Për t’iu rikthyer çështjes, nuk mund të thuhet se sot kemi struktura kriminale që ngjajnë me mafien italiane, organizata të tilla si “Cosa Nostra”, “Ndrangheta”, “Camorra” ose “Sacra Corona Unita”. Grupet kriminale shqiptare karakterizohen nga lidhje të ngushta familjare dhe shoqërore, por pa një hierarki të qartë. Ato veprojnë kryesisht në grupe të vogla dhe në bashkëpunim me organizata vendase ose me organizata të tjera të organizuara shqiptare. grupet kriminale”, nënvizoi Dumani.

Trafiku i drogës nga shqiptarët, autoritetet italiane ngrejnë alarmin

Ndërkohë një raport i vitit 2022 i Drejtorisë së Hetimit Antimafia thotë se brigjet e Brindisit janë ende objekt i interesit të krimit shqiptar për futjen e drogës në Itali, por forcat e rendit vazhdojnë t’i japin goditje këtyre klaneve. Në raport thuhej se brigjet e qytetit të Brindisit dhe provincës së tij vazhdojnë të përdoren nga kriminelët shqiptarë si një vend zbritjeje i privilegjuar për të kontrabanduar ngarkesa të mëdha marijuanë në territorin italian. Drejtoria e Hetimit Antimafia në raportin për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, thotë se mënyra e veprimit e adoptuar nga organizatat kriminale transnacionale mbetet thelbësisht e pandryshuar, të cilat përfitojnë nga mbështetja e ofruar nga subjekte të shumta me origjinë shqiptare, banues në provinca e Brindizit. Siç është dokumentuar gjerësisht nga hetuesit, shtetasit shqiptarë do të kujdeseshin për furnizimin e drogës në vendin e origjinës ndërsa aspekti logjistik dhe transporti do t’u besohej italianëve. Në këtë kontekst specifik, ka edhe bashkëinteresa me grupe të tjera kriminale nëpërmjet një marrëdhënieje klient/furnizues që gradualisht po konsolidohet, duke përfshirë edhe eksponentë kalabrezë. Aksioni i forcave policore për të luftuar krimin e organizuar në Brindisi ka pasur një ndikim të rëndësishëm tek krerët e klaneve vendase. Nëse, nga njëra anë, mungesa e figurave emblematike të shquara lejon përhapjen e grupeve të vogla heterogjene të përkushtuara kryesisht për menaxhimin e trafikut të drogës në rrugë, nga ana tjetër, sugjeron një fazë të pashmangshme të riorganizimit të aseteve kriminale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here