Google search engine
Home Politike Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin që rrëzoi Bordin e Ushqimeve, “thumbon” qeverinë dhe...

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin që rrëzoi Bordin e Ushqimeve, “thumbon” qeverinë dhe i kujton se lufta në Ukrainë nuk ishte argument ligjor për të rritur çmimet në kurriz të qytetarëve

0
115

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur  dje vendimin mbi të cilin më herët shpalli si antikushtetues aktin normativ të qeverisë për ngritjen e një bordi që do të monitoronte çmimin e ushqimeve. Sipas vendimit që rrëzoi këtë bord argumentohet se shteti shqiptar nuk ishte në kushtet e urgjencës mbas nisjes së luftës në Ukrainë. Gjykata kujton se Këshilli i Ministrave dhe kuvendi këmbëngulën në seancë se kontrolli i tregut u kërkua duke pasur parasysh efektet që do të sillte lufta Rusi – Ukrainë. Në rrezikun e rritjes së pakontrolluar të çmimeve, ky bord ka vepruar  94 herë. Por Gjykata Kushtetuese vlerëson se akti nuk u nxor në kushtet e urgjencës  së dukshme,  të cilën nëse do ishte e tillë duhet ta vlerësonte Kuvendi. Më tej Gjykata Kushtetuese përmend se impakti nga lufta Rusi – Ukrainë solli masa edhe në shtete si Maqedonia e veriut, Çekia, Slokavia, Holanda e të tjerë, por me një ndryshim krahasuar me Shqipërinë. Në vendin tonë nuk u analizua konkretisht çfarë ndikimi solli lufta në tregun vendas dhe te konsumatori. Madje në relacionin përkatës lufta në Ukrainë as që është përmendur si shkak urgjence thotë gjykata. pavarësisht thuhet më tej se në komisionin e ekonomisë dhe financat janë parashtruar argumente,  ato janë të pamjaftueshme për të kuptuar ndikimin e situatës në çmimet ushqimore para dhe pas fillimit të luftës. Gjatë kësaj vendimmarrje gjyqtarët u ndanë në shumicë dhe pakicë, veçanërisht sa i takon vlerësimit të urgjencës. Dy gjyqtarët në pakicë Holta Zacaj dhe Sandër Beci theksojnë se ky akt normativ mbi bordin duhet të kishte përcaktuar një afat kohor për efektet.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Bordin e Transparencës për çmimet e shportës. Sipas, Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi është bërë për shkak se akti normativ nuk plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës, më konkretisht urgjenca dhe nevoja për të bërë aktin normativ me fuqinë e ligjit. Sipas Gjykatës Kushtetuese nuk ishte e arsyeshme që qeveria të bëjë një akt të tillë normativ, për shkak se nuk ka pasur asnjë urgjencë e as nevojë të jashtëzakonshme për t’u bërë me kaq shpejtësi. Kërkesa për shfuqizimin e Bordit e Transparencës për Monitorimin e Çmimeve të produkteve ushqimore u bë nga 29 deputetë të Partisë Demokratike, me iniciator deputetin Dashnor Sula. Nga ana tjetër, deputetë demokratë e kanë cilësuar si një fitore vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Bordit të Ushqimeve. Deputeti Sula tha se u shfuqizua një ligj abuziv që fuste dorën në xhep të qytetarëve, duke vendosur çmime në favor të grosistëve. Ndërkohë Tabaku shkruan se ky vendim shpëtoi shqiptarët nga bordet socialiste dhe se ai ishte ngritur në mënyrë anti-kushtetuese. Bordi i ushqimeve hyri në fuqi më 1 prill dhe detyra ishte monitorimi i çmimeve të produkteve të shportës dhe përcaktimin e marzheve të fitimit të bizneseve të këtij sektori. Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar po ashtu Gjykatës Kushtetuese edhe për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për Çmimet e Karburanteve, i cili po ashtu është miratuar me një akt normativ, për të cilin ende nuk ka një vendim nga GJK. Pritet të shikohet nëse Gjykata Kushtetuese do ta konsiderojë që akti normativ, për ngritjen e Bordit të Transparencës për Çmimin e Karburanteve i ka plotësuar kriteret e kushtetuese të urgjencës dhe të nevojës, që në rastin e Bordit të Ushqimeve, konsideroi se nuk ishin plotësuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here