Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu është shprehur se sa më shumë pasurohen kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, aq më shumë i do një pjesë e popullit. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Spahiu theksoi se njerëzit që i votojnë liderët e tyre e dinë se sa të korruptuar janë. Sipas Spahiut, korrupsioni demonstrohet hapur në Shqipëri dhe pavarësisht kësaj respektin e mbështetësve për ta çuditërisht rritet. Ndërkohë juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se drejtësia shqiptare ka një barrierë të madhe përpara të cilën nuk po e kalon dot, që sipas tij, është goditja në nivelin kryeministror dhe presidencial. Madje, ai theksoi se në Shqipëri janë tre familje të paprekshme që pavarësisht se sa dosje mund të kenë të hapura, drejtësia, nuk merret me ta. Sipas tij, këto tre familje janë familja Rama, Berisha dhe Meta, të cilët siç thotë vetë Spahiu, “drejtësia nuk i merr dot as për dëshmitarë, e jo më t’i arrestojë ata”. Nga ana tjetër, juristi Kreshnik Spahiu u shpreh se nuk është e mundur të vërtetohen akuzat e pretenduara nga Gjykata Speciale në drejtim të ish-krerëve të UÇK në Hagë. Sipas Spahiut, kjo është e pamundur për sa kohë ekzekutorët nuk janë pas hekurave. Ai tregoi se si në vitin ‘98 kishte takuar në të njëjtën kohë Azem Hajdarin dhe Ahmet Krasniqin, ministër i Mbrojtjes i qeverisë Rugova, i cili u vra një javë më pasi dhe ngjarja nuk u zbardh asnjëherë.
-Zoti Spahiu, bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi është vënë në qendër të akuzave dhe debatit mediatik, pasi rezulton se është përfshirë në pazare dhe afera me oligarkë rusë të sanksionuar nga SHBA. Vetë zonja Kryemadhi i mohon. Tani pyetja ime është a është purtek kësaj, a do guxojë SPAK të hetojë Kryemadhin dhe bashkëshortin e saj. Po Ramën dhe Berishën…
Shiko, ajo që unë dua të theksojë, është fakti drejtësia shqiptare ka një tabu dhe një barrierë, nuk ka kaluar dot ylberin e drejtësisë. Cili është ylberi i drejtësisë? Të arrish në nivelin kryeministror dhe presidencial. Kjo është tabu për drejtësinë shqiptare dhe dallon jo vetëm nga drejtësia evropiane, por edhe nga ajo afrikanë edhe nga ajo aziatike, edhe nga ajo latino-amerikane. Pra në Shqipëri ka tre familje të paprekshme, familja Rama, familja Berisha dhe familja Meta. Këta sikur nga 10 dosje të kenë, drejtësia shqiptare nuk guxon jo t’i arrestojë, por as t’i marrë në pyetje. As dëshmitarë nuk i merr këta,
-Dakord dhe si gjithmonë jeni shteruese. Po si ka mundësi që qytetarët nuk ngrihen në protesta kundër klasës politike që ka 30 vjet që dominon në vend…
Ne nuk kemi një kulturë denoncuese si shoqëri. Ne denoncojmë nëpër tavolina. Jemi një shoqëri konformiste. Korrupsioni shndërrohet në normalitet. Ajo pjesë që i voton liderët e tyre e di shumë mirë që liderët e tyre janë të korruptuar por ua pranojnë ato. Thonë se janë me Berishën se është më pak i korruptuar se Rama dhe anasjelltas. Në Shqipëri korrupsioni demonstrohet që do të thotë këta liderë politikë me arrogancën e tyre e demonstrojnë hapur luksin. Me makina të blinduara, me vila luksoze. Pavarësisht kësaj kjo nuk ua ulë respektin e mbështetësve, ua rrit autoritetin. Kjo është unike. Sa më i varfër populli, aq më shumë e do liderin e korruptuar.
-Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” iu bëri thirrje shqiptarëve të distancohen nga Sali Berisha dhe të mos e votojnë atë, pasi është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, zonja Kim akuzoi Berishën se është përfshirë ne korrupsion domethënës dhe e krahasoi ate me një zjarrvënës që i ka venë zjarrin Shqipërisë. Keni një koment?
Ai kërkon prova për shpalljen non grata nga SHBA, po kur akuzon Amerikën se ka prova dhe ka bërë korrupsion nuk nxjerr prova. Nuk ka ndodhur kurrë. Berisha nuk ka akuzuar as ambasadorët rusë apo kinezë në 32 siç sulmon ambasadorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe. Të njëjtën gjë ka bërë me Lu, Arvizu dhe Uidhërs.
-A ka ndikim rus në Shqipëri?
Janë të gjitha informacionet se celula amerikane më e organizuar në Ballkan ndodhet në Shqipëri. Është një organizatë e strukturuar me media, me financime, drejtim politik, me imunitet, me polici të fshehtë. Është organizimi më i rrezikshëm sot për sot dhe drejtohet nga Moska, këta çapaçulët e Tiranës janë në listën e zezë të SHBA. SHBA duhet t’i shkojë në fund kësaj historie. Nëse SHBA vonohet në asgjësimin e kësaj celule do të jetë shumë vonë. Duhet të ndërhyjnë me të gjitha mjetet siç kanë bërë në shtetet e tjera.
– Si ju duket bashkëpunimi Meta-Berisha. Pse ata janë bërë bashkë dhe a do kenë sukses me 14 maj, siç premtojnë dhe përbetohen çdo ditë?
Sali Berisha, duke pasur parasysh që është 80 vjeç dhe urojmë që të jetë 150 vjeç, por ora politike nuk është paralele me orën biologjike. Pra, mund të ketë edhe 5-6 vite aktive në politikë dhe për këtë arsye, kjo është faza e parë e shkrirjes së LSI me grupin e Berishës, përgatitjen e një partie të përbashkët. A do ndodhë pas 2025 kur të humbasin, kjo duhet parë. Jam i sigurt, njeriu që po investohet për të qenë lideri i ardhshëm i këtij grupimi, është Ilir Meta.
-Në Hagë po zhvillohet gjyqi ndaj krerëve të UÇK. Keni një koment?
Kemi vepra penale dhe vrasje të kryera para 25 vitesh dhe janë gjetur vendet dhe mënyrat se si janë vrarë, por ekzekutorët. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, këta nuk akuzohen se i kanë vrarë me dorën e tyre, por që kanë urdhëruar të tjerë, akuza është që ata i kanë dhënë urdhër, po kujt i kanë dhënë urdhër ata? Asnjë vrasës sot nuk është në procedim dhe as i dënuar dhe kjo e vështirëson dhe e bënë të pamundur. Unë tani do ju jap një ngjarje, në gusht të vitit 1998 kam ngrënë drekë në Rogner me dy persona të rëndësishëm dhe ata ishin Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi dhe në shtator janë vrarë të dy. Të dy janë vrarë nga shqiptar dhe mbas 25 vitesh dihet se Ahmet Krasniqi pse është vrarë, a mund të provohet kush ka dhënë urdhër për vrasjen e tij, mendoj se kjo është e pamundur, nëse ata që e vranë do ishin në burg dhe do të bëheshin bashkëpunëtor të drejtësisë mund të tregon se kush i dha urdhër për ta vrarë. Drejtësi e vonuar është drejtësi e harruar.
-Thaçi tha se nuk ka qenë në front të luftës, çfarë kosto mund të kenë këto deklarata kontradiktore?
E gjithë strategjia e prokurorisë speciale është e ndërtuar mbi tre themele, e para mbi 314 dëshmi, thëniet kontradiktore të lidërve të UÇK dhe mbi disa ballafaqime që provojnë rolin hierarkik të udhëheqjes së UÇK-së. Tani pyetja që vlen të bëhet është, a kanë vrarë shqiptarët shqiptarë? Po ka. A janë vrarë ata nga 4 liderët e UÇK-së? Për këtë nuk ka asnjë provë që ata shqiptarë që janë vrarë të jen varrë me urdhër të atyre 4 lidërve të UÇK-së, të cilët sot janë të akuzuar. Por, a jemi ne e keqja që kemi ndërtuar të gjithë këtë akuzë? Pjesërisht po sepse pjesa më e madhe e dëshmitarëve janë shqiptar dhe një nga arsyet pse procesi ka zgjatur disa vite është se nuk gjen qëndrueshmëri në akuzat e shqiptarëve. Në fund të këtij procesi do kemi dëshmitar që do vihen në pranga për dëshmi të rreme për krime kundër njerëzimit për të siguruar disa dokumente për azil. Shumica e dëshmitarëve kanë refuzuar të dalin në mënyrë të drejtpërdrejt dhe disa të tjerë janë jashtë vendit. Ata janë viktima të suksesit të vet politik sepse u hoqën se ata ishin flamuri i UÇK dhe sot po ja përdor prokuroria speciale.
Intervistoi: Rigels Seliman