Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, ka bërë dje një thirrje për demokratët. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Hoxha theksoi se ka vetëm një PD që merr pjesë në zgjedhje. Sipas tij, Sali Berisha nuk përfaqëson Partinë Demokratike. “Ka vetëm një PD që merr pjesë në zgjedhje. Sali Berisha nuk përfaqëson PD-në, sado nostalgjiket dhe fanatiket ta duan dhe ndjekin atë. Sali Berisha ka vënë në jetë një platformë politike të bashkimit me Ilir Metën dhe të asgjësimit të çdo vektori tjetër opozitar. Zgjedhjet e 14 majit janë vetëm një hap në ekzekutimin e kësaj platforme. Kjo platformë e përjashton bashkëjetesën me PD-në, biles ka objektiv shkatërrimin e PD-së. Për këtë ka prova dhe evidenca të qarta. Çdo demokrat që mendon se, duke mbështetur platformën Meta-Berisha do të ndihmojë PD të ringrihet, nuk bën gjë tjetër, veçse ndihmon që PD -në ta zërë kolera”, shkruan ai. Më tej ish deputeti theksoi se nëse i shërbeni kolerës dhe PD vdes, nuk do keni më mundësinë të vijoni me eksperimentin e radhës. Ai i ftoj të gjithë ata që ndjejnë PD-në me zemër të bëhen njerëz më politikë, më të angazhuar, më të thellë, më mosbesues, më analitikë. “Çdo demokrati që bën këtë punë dua t’i them: ky nuk është eksperiment që bëhet në laborator. Nëse i shërbeni kolerës dhe PD vdes, nuk do keni me mundësinë të vijoni me eksperimentin e radhës. PD nuk është mi që mund ta zëvendësoni me miun tjetër. Po vdiq, PD -në do ta humbni përgjithmonë. Ndaj ju ftoj të gjithë ju që e ndjeni PD-në me zemër të bëheni njerëz më politikë, më të angazhuar, më të thellë, më mosbesues, më analitikë. Mos rrini viktima të nostalgjisë e të stereotipeve, sepse nëpërmjet tyre po ju fusin kolerën në gji”, nënvizoi Hoxha.



































