Google search engine
Home Politike Dhuna dhe blerja e votës, kryeprokurori Olsian Çela ngre strukturë të përkohshme...

Dhuna dhe blerja e votës, kryeprokurori Olsian Çela ngre strukturë të përkohshme për zgjedhjet e 14 majit

0
114

Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Olsian Çela ka ngritur strukturën e përkohshme për zgjedhjet vendore të 14 majit si edhe ka nxjerrë qarkoren për marrjen e masave në çdo prokurori. Me anë të kësaj qarkoreje, Çela kërkon nga drejtuesit e prokurorive të rretheve gjyqësore, të marrin masa për organizimin e prokurorive duke filluar me datë 14 prill 2023 që sipas ligjit fillon fushata zgjedhore deri me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja të organeve të qeverisjes vendore në njësitë administrative që mbulon rrethi gjyqësor i asaj prokurorie. “Drejtuesit e prokurorive dhe prokurorët duhet të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate optimale, çdo referim dhe/ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor, për kryerjen e hetimeve proaktive, dhe/ose përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit sipas ligjit, si dhe rritjen e intensitetit të hetimeve për këto grupvepra penale”, thuhet në dokument. Një detyrë e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me institucionet.“Ndërkohë, struktura përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtuesit e prokurorive e prokurori për marrëdhëniet me publikun ne secilën prokurori, marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar dhe shkëmbyer informacione dhe dërgimin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, përfundon njoftimi.

Tabaku: Prokuror special në SPAK, i dedikuar për krimet zgjedhore

Ndërkohë, kjo lëvizje e kryeprokurorit Çela, vjen pas apelit që bëri pak ditë më parë kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku njëherësh edhe deputetja e Partisë Demokratike, e cila i kërkoi SPAK të caktojë një prokuror special sa më shpejt, i cili të jetë i dedikuar për të hetuar krimet zgjedhore. Duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Tabaku theksoi se, problemi që ky Këshill Kombëtar do të trajtojë me prioritet është reforma zgjedhore. Madje ajo i kërkoi Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe aktorëve politikë në vend që të angazhohen për të zgjidhur problemin e financimit të partive politike, që është një kërkesë e kahershme BE dhe partnerëve tanë strategjikë. “Ky është një vit i rëndësishëm, e një vit testi e prove për Shqipërinë. Sot dosjet 184 dhe 339 rrezikojnë të parashkruhen dhe përgjegjësit e vërtetë mos të përfundojnë përpara drejtësisë. Ne nuk mund të presim derisa këto të bëhen statistika, prandaj në emër të opozitës, ju kërkoj që një prokuror special të caktohet sa më shpejt, i dedikuar për të hetuar krimet zgjedhore, ku me një procedurë të thjeshtë dhe të shpejtë menjëherë të marrë vendime”, deklaroi ajo. Më tej Tabaku u shpreh se, ky është një propozim që vjen pasi është e papranueshme që Shqipëria me negociata të hapura të ketë zgjedhjet problem. Të ketë krimin e organizuar që angazhohet në zgjedhje, të ketë dosje që dëshmojnë lidhjen krim-politikë. Sipas saj, ndërhyrja në zgjedhje është shembja e demokracisë. “Ky është një propozim që vjen pasi është e papranueshme që Shqipëria me negociata të hapura të ketë zgjedhjet problem. Të ketë krimin e organizuar që angazhohet në zgjedhje, të ketë dosje që dëshmojnë lidhjen krim-politikë. Ne e kemi të qartë që ndërhyrja në zgjedhje është shembja e demokracisë. Prandaj në emër të opozitës ju kërkoj që të përcaktoni një prokuror special që të merret me problemin e zgjedhjeve; që blerja e votës të ndëshkohet dhe kriminalizimi i zgjedhjeve të ndëshkohet që të hetohet në kohë reale. Nuk ka prioritet tjetër për Shqipërinë veç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, nënvizoi Tabaku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here