Ambasada e SHBA i përgjigjet “flakë për flakë” Sali Berishës: Je mbetje e turpshme e së kaluarës dhe gënjeshtar serial, shqiptarët të njohin mirë se kush je

0
156

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i është përgjigjur flakë për flakë ish-kryeministri Sali Berisha, pasi ky i fundit dhe enturazhi i tij hodhën akuza të forta në adresë të ambasadores Yuri Kim. Dy ditët e fundit, “non grata” Sali Berisha dhe lakenjtë e tij që janë pjesë e “Foltores”, u hodhën në sulm ndaj ambasadores, pasi kjo e fundit e krahasoi timonierin e “Rithemelimit” me një “zjarrvënës që premton se do të shuajë zjarret”. Padyshim deklarata ishte e fortë dhe “Foltorja” u trondit nga themelet, ndërkohë që dje eksponentë të saj shpërthyen në sulme ndaj ambasadores. Por kjo gjuhë e paprecedent e “Foltores” ka ngjallur reagimin e ashpër të ambasadës së SHBA në vendin tonë, e cila në një reagim për “Vizion Plus”, i ka konsideruar dje baltosje dhe mashtrimi akuzat në drejtim të ambasadores Yuri Kim. Madje në reagim e saj, selia diplomatike, indirekt e konsideron Berishën si e shkuar dhe gënjeshtar, që sipas saj, e njohin të gjithë. “Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA. Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Paloka akuza ambasadores Kim

Por në ndihmë të ish-kryeministrit Sali Berisha dje ka dalë deputeti i “Foltores”, Edi Paloka, i cili teksa ishte i ftuara në një studio televizive sulmoi ambasadoren amerikane në vendin tonë, Yuri Kim. Gjatë fjalës së tij, Paloka theksoi se ambasadorja Kim është paguar që ditën e parë që ka ardhur nga Rama për ta mbështetur atë në çdo gjë, ndërsa deklaratat e saj ai i ka cilësuar si retorika normale për të marrë këstin e fundit të pagesës. Sipas Palokës, qëllimi i Ramës dhe diplomatëve të huaj që paguheshin prej tij ishte eliminimi i opozitës, por nuk ja kanë arritur dot qëllimit. “Në 2021 thamë 1000 gjëra dhe ikëm e shkatërruam PD. Këtë herë nuk do lejojmë me të gjitha mënyrat që të vendoset rezultati i zgjedhjeve nga presione qeveritare dhe para mafie dhe inceneratorësh. Ata që do e bëjnë do japin edhe llogari për këtë. Reagimin e kanë bërë demokratët dhe shqiptarët që para një viti. E kanë marrë përgjigjen zonja McGonigal e të gjithë që i shërbejnë Ramës. Ata kishin si qëllim eliminimin e opozitës. Por ajo fazë ka kaluar. Demokratët janë përditë në betejë me Edi Ramën për të çuar në shtëpi Ramën dhe veglat e tij. Zonja pret këstin e fundit, se këtë ka bërë që ditën e parë që ka ardhur është vënë në shërbim të Ramës sepse merr diçka. Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”, deklaroi Paloka.

Berisha sulmon diplomaten e SHBA

Ndërkohë dy ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha në një postim në rrjetin social “Facebook”, shkoi edhe më tej duke nënvizuar se Yuri Kim ka gjithashtu prona në Shqipëri. “Përgjigje zj. Yuri Kim. Të dashur miq, Guvernatorja Yuri Kim në përpjekje për një shërbim të fundit Edi Ramës, foli sot njëlloj sikur të fliste McGonigal me fustan. Por me deklaratën e saj për zjarre dhe zjarrëvënës, në të vërtetë ajo përpiqet të fshehë aferat e veta korruptive të denoncuara publikisht, por edhe afera të tjera. Ftoj inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresin e SHBA të hetojë aferat korruptive të guvernatores Kim, përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri. Partia Demokratike sikundër deri sot është e gatshme të japë kontributin e saj për këtë transparencë. Partia Demokratike shton se kandidatët e saj nuk janë as të barit as të zjarrit, por janë kandidatët e votës së lirë. Ajo fton çdo shqiptar të marrë ndryshimin në duart e tij për të shpëtuar vendin nga një e keqe që po zgjat më shumë se një dekadë! Bashkë Fitojmë”, shkroi Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here