Tjetër tension nga tifozeritë që shqetësojnë UEFA-n. Roma-Fejnord është një prej sfidave më interesante në UEFA Europa League, me skuadrat që do të masin forcat në fazën çerekfinale, ndërsa një vit më parë ishin së bashku në finalen e Tiranës, në UEFA Conference League. Sfida e parë do të luhet në “De Kuip”, të enjten e ardhshme, më 13 prill, por kjo ndeshje ka “nisur” prej kohësh të tërheq vëmendje dhe shkak janë bërë tifozët e të dyja skuadrave. Pas vendimit të autoriteteve italiane për të ndaluar tifozët e Fejenord që të ndjekin sfidën e kthimit, në “Olimpico”, UEFA ka urdhëruar klubin e Fejenord që të bëjë të njëjtën gjë, pra të mos lejojë tifozët italianë në Roterdam. Fillimisht, skenari më i realizueshëm ishte që Roma të vendoste në dispozicion 1.200 bileta për Fejnord, por në fund autoritetet italiane nuk pranuan dhe kjo gjë ka bërë që UEFA të mos lejojë as tifozët e Romës në Roterdam. Në ditët e fundit, ka pasur takime të shpeshta midis drejtuesve italianë dhe UEFA-s për të diskutuar opsionet e mundshme që kjo sfidë të luhet normalisht, por mesa duket palët nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.



































