Thellohen hetimet për aferën e grabitjes së terreneve të ish-klubit “Partizani”. Politika shqiptare pritet të tronditet deri në themele nëse Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) e heton siç duhet këtë dosje. Mësohet se kjo aferë, nuk përfshin vetëm familjen “Berisha” dhe besnikët e tij, por aty i rrezikuari kryesor është dhe kryeministri Rama. Gazeta “SOT” po sjellë detaje dhe fakte interesante nga kjo megaaferë, të cilat hedhin dyshimet edhe mbi origjinën e vërtetë të pronës. I gjithë ky skandal fillon me firmën që hodhi kryebashkiaku Edi Rama në datën 29.12. 2007 për shkatërrimin dhe kthimin në shesh ndërtimi të kompleksit sportiv “Partizani”. Ky vendim, dihet se si dhe përse e në favor të kujt është firmosur e vulosur. Këtë skandal të vitit 2007-2008, të përgatitur prej Ramës së Bashkisë Tiranë dhe Berishës së qeverisë e asgjëson” një shkresë e lëshuar 15 vjet me parë, pra në vitin 1994, nga zyra qendrore e Arkivës së Shtetit Shqiptar, kur drejtor i Përgjithshëm i kësaj arkiv ka qenë krushku i Sali Berishës, ose më saktë, babai i dhëndrit të Saliut dhe vjehrri i Argitës, Luan Malltezi. Sipas këtij dokumenti, pra kësaj shkrese me numër prot 1586/1, datë 12.05.1994, firmosur asokohe nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të shtetit, Luan Malltezi, ish-pronarët e truallit të kompleksit sportiv “Partizani’ në Tiranë, janë shpronësuar nga ish-qeveria Fashiste Italiane, në vitet 1940-1941, duke u paguar truallin kundrejt çmimeve të kohës dhe që ish-pronarët, kanë firmosur marrjen e vlerave përkatëse financiare.
Detajet e marrëveshjes Berisha-Rama
Gazeta ka kërkuar në arkivë dhe rezulton se në datën 29 dhjetor 2007, Edi Rama në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, ka miratuar si shesh ndërtimi kompleksin publik “Partizani”, si godinë banimi dhe shërbimesh me 5, 7 dhe 9 kate, me 2 kate parkim nëntokë. Ky veprim me gjuhën e ligjit quhet abuzim, shkatërrim dhe grabitje e pronës publike, ndërsa me gjuhën e klanit Rama-Berisha, quhet përfitim dhe pasurim. Dhe nuk është rastësi që ky vendim i cili mban siglën e Këshillit të Rregullim-Territorit (KRRT) të Tiranës, rezulton se është marrë në datën 29 dhjetor 2007, ditë që në kalendar rezulton e shtunë, ditë kur administrata publike e ka pushim me ligj dhe po sipas ligjit, në ditë pushimesh nuk njihet si i vlefshëm ligjërisht asnjë veprim zyrtar, përveçse në raste emergjencash civile, që kanë lidhje me ndihmën ndaj popullatës. Qëllimi ishte për të kthyer kompleksin sportiv “Partizani” në shesh ndërtimi për ndërtim pallati e pallatesh, ku pronar i këtij ndërtimi rezulton se është edhe dhëndri ish-kryeministrit te “duarve të pastra” Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i Argitës dhe motra e tij, Olta Malltezi.
Skandali me “Klubin Partizani”
Prona e quajtur “Kompleksi sportiv Partizani” për të cilën ata bërtisnin se janë pronare, nuk ishin pronat e tyre, por të shtetit italian. Sipas ligjit shqiptar të pushtetit komunist, të ardhur në fuqi në vitin 1944, me aktet e sekuestros të viteve 1945-1946 të ish-pushtetit popullor shqiptar, po kështu edhe sipas marrëveshjes Shqipëri-Itali, që pronat e ish-qeverisë fashiste të kalonin si dëmshpërblim për pasojat e luftës në favor të shtetit shqiptar, këto prona, që prej vitit 1945 kanë cilësimin si pronësi e shtetit. Për rrjedhojë, as kthehen dhe as kompensohen. Këtë e ka konfirmuar edhe krushku i Sali Berishës, pra babai i Jamarbër Malltezit dhe i Olta Malltezit, ish-drejtor i i Arkivës Qendrore të Shtetit, zoti Luan Malltezi, i cili me shkresën e tij zyrtare me numër prot 1586/1, datë 12.05. 1994, përgjigjur pretenduesve si: ish-pronarë të truallit të kompleksit “Partizani”, u konfirmon se janë shpronësuar dhe janë kompensuar e financiarisht nga ish-qeveria italiane që në vitet 1940-194l, për nevoja ndërtimesh publike për projektin italian të kohës, për ndërtimin e aeroportit të Tiranës, projekt që përfshinte dhe kompleksin e sotëm sportiv “Partizani”. Këtë shpronësim dhe kompensim e konfirmon dhe shkresa e datës 25 janar 1940-XVIII, mbështetur në nenin nr. 1 të Dekretit të Mëkambësisë Nr. 178, dt 11.XII. 1939-XVIII, firmosur nga dv. Frances- ko Jakomoni dhe dv. Shefqet Vërlaci, konfirmuar e protokolluar dhe si origjinale, prej sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë dhe të këshillit Ministrueor, dv. Izedin Beshiri. Berisha dhe Rama kanë përpiluar dosjen e kompleksit “Partizani” sipas interesit te tyre, me synim për të përfituar trojet për ndërtimet e tyre private, që zona më e leverdishme e Tiranës, të jetë pasuri e klanit në fjalë.
SPAK thellon hetimet
Së fundmi kanë dhënë shpjegime para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ish-ministrat e qeverisë “Berisha 2”, por edhe personazhe të tjerë kyçë. Kjo dosje pritet të tronditë zyrtarë të nivelit të lartë. SPAK ka thelluar hetimet dhe ka thirrur Afrim Tolen. Ky i fundit ka qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit, për Privatizimin e Objektit “Klubi Shumë-sportësh “Partizani. Tole nuk është i vetmi që është marrë në pyetje. Mësohet se të tjerë personazhe “VIP” do të thirren të dëshmojnë. Gazeta ka mësuar se në vijim pritet të thirren për të dëshmuar në SPAK edhe Berisha-Malltezi, por nuk përjashtohet dhe kryeministri Rama. Kujtojmë se pak javë më parë për të njëjtën çështje është marrë në pyetje dhe ish-drejtori i klubit Partizani, Isa Tare. Po ashtu para disa javësh, SPAK thirri dhe ish-ministrin i Energjetikës në qeverinë e ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Ruli. Ka dëshmuar dhe ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet që ka kryer gjatë periudhës që i është dorëzuar shkresa për ish-kompleksin Partizani. Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa është marrë gjithashtu në pyetje nga SPAK. Edhe Fatmir Mediu është pyetur. Pra dosja po “qepet” mirë dhe nga SPAK po përgatiten arrestime.


































