Google search engine
Home Politike Edi Rama u dërgon mesazh të korruptuarve në radhët e PS, u...

Edi Rama u dërgon mesazh të korruptuarve në radhët e PS, u kujton se koha e të paprekshmëve dhe të strehuarve nën “ombrellën” e pushtetit ka mbaruar

0
104

Për herë të parë, në Tiranë u mbajt mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asocimit mes BE dhe Shqipërisë, që solli në kryeqytet edhe dy zyrtarët e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Oliver Várhelyi. Takimi u pasua me një konference për shtyp mes Ramës dhe zyrtarëve të lartë. Gjatë fjalës së tij në konferencë, kreu i qeverisë Edi Rama i ka dërguar mesazh të korruptuarve, sidomos atyre brenda mazhorancës socialiste, ku theksoi se PS nuk do jetë mburojë për asnjë person që ka probleme me drejtësinë. Kryeministri Rama është shprehur se reforma e drejtësisë është një reformë është duke dhënë fryte domethënëse. “Gjërat kanë shkuar sipas parashikimeve, s’kemi vonesa as probleme. Ne sot mund të konstatojmë ecurinë e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi po jep fryte domethënëse. Nuk është fushë me lule, ka dhe ajo ferrat e veta. Në Shqipëri po ndodh ajo që deri shumë pak kohë më para askush nuk e imagjinonte. Drejtësia, po godet njerëz, individë, të lidhur me pushtetin apo jo, siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi. Kjo reformë që koha e të paprekshmëve dhe të strehuarve nën ombrellën e pushtetit, ka mbaruar. Jam krenar që Shqipëria është i vetmi vend në rajon që e ka hedhur këtë hap. Cilido qoftë, nëse ka punë me drejtësinë duhet të marrë avokat. PS nuk ofron shërbime avokatie për askënd”, deklaroi ai. Pra kjo deklaratë e Ramës, është një mesazh i qartë se kush ka llogari të hapura me drejtësinë, sikundër është ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, duhet t’i dalë për zot vetes. Më tej Rama theksoi se qeveria po përgatit një reformë që do të përmbysë sistemin e Prokurorimeve Publike. “Heqja e Prokurorimeve nga duart e institucioneve është objektivi ynë. Nuk do ketë më zyrtarë të lartë që do të kenë lidhje publike. Për këtë po bashkëpunojmë me agjencitë e Kombeve të Bashkuara. Ky është një aspekt që do e shpëtojë Shqipërinë nga aspektet e luftës kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

Amnistia fiskale

Ndërkohë kreu i qeverisë është shprehur se vlerëson angazhimin e komisionit dhe delegacionit për të ofruar ekspertizë për amnistinë fiskale, por shtoi se këtë nismë e mbështet fuqishëm. Ai deklaroi se e kanë pezulluar projektin e “pasaportave të arta” derisa të marrë vendim gjykata europiane. “E kemi pezulluar projektin e ‘pasaportave të arta’. Nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa vendosur gjykata europiane. Nëse vendos gjykata europiane kundër, nuk do e hapim më si çështje. Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e komisionit dhe delegacionit për të na ofruar ekspertizë për amnistinë fiskale. Ne nuk heqim dorë thjesht se nuk është gjë e mirë por ama ne duam që ta bëjmë së bashku e duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut. Besojmë se është e mirë për Shqipërinë”, tha ai. Po ashtu, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të BE, Oliver Varhelyi dhe Josep Borrell, kreu i qeverisë u shpreh se është mbyllur procesi i konsultimit për kanabisit mjekësor ndaj çështja do të vijojë në parlament. Në fund të fjalës u shpreh se Komisioneri Varhelyi ka ardhur këtë herë në Tiranë me fondin për ndërtimin e Kolegjit Europian.“E fundit kemi përfunduar dhe procesin e konsultimit për kanabisin mjekësor e do të vijojmë në parlament duke pasur parasysh si e shkruajmë, zbatojmë dhe procesi i monitorimit. Në mbyllje dua t’ju falenderoj, veçanërisht komisionerin që s’vjen vetëm me buqetën e parimeve dhe predikimeve por edhe me portofol europian që e hap gjithmonë. Këtë herë ka sjellë fondin për Kolegjin Europian pasi u propozua prej nesh dhe u pranua në samitin e Tiranës dhe kjo është dhuratë e bukur dhe e merituar nga Shqipëria”, nënvizoi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here