Egnatia bën surprizën e radhës, mund Laçin dhe shkon në gjysmëfinale të Kupës

0
105

Kupa e Shqipërisë mbylli dje angazhimet e saj me çerekfinalet dhe tani janë mësuar edhe emrat e katër skuadrave gjysmëfinaliste. Padyshim që surprizë mund të quhet në këtë nivel kualifikimi i Egnatias që mundi 3-0 në transfertë Laçin dhe me këtë sukses bindës siguron jo vetëm gjysmëfinalen, por shfaqet si ekip pretendent për të fituar trofeun dhe nëse ia del shkon automatikisht në Ligën e Konferencës. Fundja, pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s është dhe objektivi madhor i skuadrave shqiptare. Rrogozhinasit me suksesin e djeshëm jo vetëm kanë surprizuar, por ata po bëhen një ekip që e kanë frikë tani edhe rivalët për titull në Superligë.

Ndeshja

Egnatia bën surprizën në Laç dhe kualifikohet për herë të parë në histori, në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Skuadra rrogozhinase ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 0-3 në Kurbin, duke siguruar biletën për më tej. Ndeshja e parë në “Egnatia Arena” kishte përfunduar në barazim pa gola dhe vendasit shiheshin dukshëm favoritë, megjithatë fusha foli në favor të rrogozhinasve. Medeiros shënoi golin e avantazhit në minutën e 20’ për Egnatian, që në pjesën e dytë gjeti rrjetën edhe dy herë të tjera. Fillimisht ishte Kasa që shënoi të dytin dhe më pas Mediros kompletoi dopietën personale e vulosi kualifikimin e Egnatias, kur kronometri shënonte minutën e 66-të të ndeshjes. Egnatia bëhet kështu skuadra e tretë gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, pas Tiranës e Teutës, teksa në mbrëmje kompletohet katërshja, me të kualifikuarën e çiftit Partizani-Vllaznia. Nga ana tjetër Laçi konfirmon momentin e vështirë, që po kalon si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, teksa si rrallë herë në këto 10 vitet e fundit, shanset e pjesëmarrjes në Europë, shkojnë afër zeros.

Tetova: Egnatia synon pjesëmarrjen në kupat e Europës

Pas sfidës foli trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova. “Unë e thashë dhe ndeshjen e parë që kjo sfidë do të ishte e paparashikueshme. Çdo gjë shkoj ashtu siç donim ne, fatmirësisht ata nuk shënuan asnjë gol dhe Sherri bëri pritje të mira. Në pjesën e dytë luajtëm shumë mirë, përgëzoj Kasën për golin që shënoi. Kjo është ndeshje që zgjidhet me situata, e dinim që do të na sulmonim, në shpëtuam pjesën e parë. Gjithçka foli për ne në pjesën e dytë. Ne kemi provuar të shkojmë drejt portës në Kategorinë Superiore, unë kam vetëm fjalë të mira për djemtë që po bëjnë mirë në të gjitha frontet. Mjafton që Egnatia të jetë në Kupat e Europës. Jam shumë i kënaqur, dhe këtë triumf ja dedikojmë të gjithë qytetarëve të Rrogozhinës. Me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë përpara”, u shpreh ai.

Kupa, çerekfinalet

Në kllapa rezultati i ndeshjeve të para

Të martën, 14 mars

Tirana-Kastrioti          2-2 (4-0)

Kukësi-Teuta               2-1 (0-2)

Të mërkurën, 15 mars

Laçi-Egnatia                0-3 (0-0)

Partizani-Vllaznia        16:00 (1-3)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here