Një aktivitet i rëndësishëm e spektakolar boksi do të zhvillohet në Tiranë në fundjavë. Evenimenti, i quajtur “Grushti i Hekurt”, vjen me tetë ndeshje madhështore, në një mbrëmje të madhe për boksin shqiptar. Alban Bermeta do të duelojë për të 11-n herë në karrierën e tij si profesionist, me synimin e vetëm për të marrë maksimumin në sfidën e së premtes. “Është vërtetë një sfidë e veçantë dhe një ndeshje shumë e fortë. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Shpresoj t’ia dalim me sukses në këtë turne kaq të madh dhe në këtë ndeshje kaq të fortë”, theksoi ai. 31-vjeçari synon fitoren e 10-të në karrierë ndaj letonezit Eduards Vaisa, i cili numëron po aq fitore sa Bermeta. “Luftëtari” nga Tirana është optimist se mund të arrijë të regjistrojë një tjetër sukses, edhe me ndihmën e publikut kuqezi. “Emocionet janë shumë të mëdha. Do të jenë boksierët më të mirë shqiptarë që do të jenë në këtë event. Shpresojmë shumë që të sjellim një rrip, një titull kampion. Kundërshtarët do të jenë shumë të fortë. Do të tregojmë ndeshje të mëdha që tifozët të kënaqen, por edhe ne të bëjmë boks siç duhet. Tifozët janë 50% forca dhe motivi për ne. U bëj ftesë që t’ia dalim së bashku”, shtoi ai.


































